Loading…

Dështimi i pronarëve të Medical Park Kosova: Shkuan me bujë në Budapest, u tërhoqën për shkak të humbjeve

  • 02/09/2026 | 19:04

Dështimi i pronarëve të Medical Park Kosova: Shkuan me bujë në Budapest, u tërhoqën për shkak të humbjeve

Liv Hospital Group, një rrjet turk i spitaleve, që kishte hyrë me pompozitet në vitin 2023 në tregun hungarez, duke marrë menaxhimin e Duna Medical Center, i ka dhënë fund veprimtarisë në Budapest. 


Kompania turke MLP Sağlık Hizmetleri, në maj të këtij viti ka njoftuar zyrtarisht se kishte vendosur të ndërpriste operacionet e Liv Duna Medical Center në Budapest, si pjesë e “përmirësimit të efikasitetit dhe optimizimit të portofolit”.

Në njoftim thuhej se ishin hequr tabelat dhe elementet e markës së kompanisë nga ndërtesa dhe se operacionet e saj në spital ishin ndërprerë.

Këtë projekt MLP Care e kishte përdorur për të dëshmuar shtrirjen e rrjetit të klinikave përtej Turqisë, por faktikisht Liv Hospital është tërhequr nga atje për shkak të humbjeve të mëdha që vlerësohen deri në 12 milionë euro.

Liv Hospital Group janë pronarë të Medical Park Kosova, që operon në Magjistralen Prishtinë-Ferizaj, konkretisht në kilometrin e katërt të kësaj rruge, në Çagllavicë. Vendndodhja e spitalit ishte bërë temë e diskutimit për shkak të afërsisë së objektit me një pompë benzine.

Ndërkohë në Hungari, partneri i Liv Hospital Group Duna Medical Center kishte konfirmuar po ashtu se bashkëpunimi me turqët kishte përfunduar dhe se ata do ta vazhdojnë punën si institucion i pavarur dhe duke u rikthyer te emri Duna Medical Center.

Kur Duna Medical Center kishte kaluar nën ombrellën e MLP Care–Liv Hospital, drejtues të projektit kishin shfaqur ambiciet që institucioni të bëhej një pikë reference e standardit të lartë ndërkombëtar në rajon.

Ky synim ishte afirmuar nga drejtori i atëhershëm, Ahmet E. Usta, në një forum hungarez për shëndetësinë private.

Vështirësive financiare të Liv Hospital Group i kishin kushtuar vëmendje edhe mediat hungareze.

Raportohej se fillimisht kishin filluar masat shtrënguese, në përpjekje për ta stabilizuar funksionimin, duke larguar 10 përqind të stafit, që përfshinte punëtorë të kualifikuar, mjekë, asistentë, fizioterapeutë, mami, recepsionistë dhe punëtorë të qendrës së thirrjeve. Sipas gazetës Nepsaza, me atë rast spitali e kishte  likuiduar edhe departamentin i marketingut/shitjeve.

“E gjithë procedura u krye në një mënyrë çnjerëzore. Personat në fjalë u thirrën një nga një në fund të ditës së punës, duke u thënë se nuk kishin pse të punonin të nesërmen”, kishte raportuar kjo gazetë.

 

 

 

 

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë