Loading…

Dhimbje e lot në varrimin e nxënësve në Gllogjan, i dyshuari ende në arrati

  • 28/11/2021 | 22:29

Dhimbje e lot në varrimin e nxënësve në Gllogjan, i dyshuari ende në arrati

Qindra persona kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të dy nxënësve që u vranë të premten mbrëma në Gllogjan të Deçanit. I dyshuari i vrasjes së trefishtë ndodhet në arrati, ndërsa Qeveria e Kosovës ofron 20 mijë euro shpërblim për secilin qytetar që jep informacione për autorin apo autorët e vrasjeve.


Në dyert e familjes Mustafaj nga Gllogjani është vendosur njoftimi mortor.

Edhe e pamja tashmë është hapur.

Këtu janë mbledhur miq e dashamirë për t’i dhënë lamtumirën e fundit Gentës e cila së bashku me Ledionin dyshohet se u vranë nga një person i maskuar.

Rrugëtimi i tyre nga shkolla në shtëpi u shndërrua në rrugëtimin e tyre të fundit në jetë. Dhimbja që shihet tek familjarët është e madhe, e numri i atyre që vinin për ngushëllime ishte i lartë.

E shokët e shoqet mes lotësh po përshëndetën përjetësisht me të. Matanë rrugës qëndronte një autobus i cili ishte i rezervuar vetëm për bartjen e shokëve të Gentës drejt varrezave.

Automjeti që do bartë trupin e viktimave ishte gati. Sa më shumë që ofrohej ora 14, mobilizimi i familjarëve dhe jo vetëm ishte edhe më i madh, për të organizuar ceremoninë e varrimit.

Dhimbje e madhe po mbizotëronte edhe disa metra më larg. Atu ku edhe familja Hamzaj tashmë kishte hapur portat e shtëpisë për ngushëllim për vdekjen e djalit të tyre, Ledionit.

Familjarët të rreshtuar po prisnin gjithë vullnet mirët për vizitë. Mirëpo gjendja brenda këtyre mureve  ishte e rëndë nga dhimbja e cila tashmë kishte zënë vend në shpirtin e gjithsecilit e sidomos familjareve .

Edhe kurorat me lule të cilat janë simboli kryesor i një ceremonie të këtillë, ishin gati. Gjithçka që pritej ishte dalja e trupit të pajetë të Ledionit nga pragu i shtëpisë.

Afro orës 14:30 trupat e dy të rinjve u nisën drejt varrezave. Aty ku ishin mbledhur qindra qytetarë nga të gjitha rajonet për tu solidarizuar me familjarët e viktimave.

Në mesin e tyre u panë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zv. Ministja Donika Gërvalla, Armend Mehaj, ministri i mbrojtjes, Bashkim Ramosaj kryetari i komunës e Ramush Haradinaj, kryetar i AAK’së.

Me të përfunduar ritet fetare i parë që mori fjalën ishte kryetari i komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj i cili u shprehu ngushëllime familjarëve.

I prekur me këtë ngjarje u pa edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tutje konfirmoi se edhe më tutje nuk kanë arritur të kapin dorasin.

Shoqja e dy nxënësve mes lotësh ka kujtuar momentet e fundit me ata që rruga për në shtëpi ju pre në gjysmë.

Të pikëlluar janë shprehur edhe nga shkollat ku Genta e Ledioni kishin thurur ëndrra për ardhmen. Gjatë ditës së diele është varrosur edhe shoferi i cili mbeti i vrarë nga sulmi me armë automatike në drejtim të autobusit dy ditë më parë.

Videon mund ta shihni duke klikuar KËTU.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë