Dhjetë takime janë mbajtur deri tash mes pozitës e opozitës me ndërmjetësimin e Naim Rashitit nga Grupi Ballkanik për Politika, por asnjë rezultat nuk doli nga to, transmeton KTV.
PDK, LDK, Vetëvendosje, AAK e Nisma asnjëherë nuk arritën të gjenin përfundime të përbashkëta për temat e mëdha, por qëndrimet e tyre vetëm sa u përforcuan.
Kështu ka ndodhur edhe në takimin e fundit, ku temë diskutimi ishin demarkacioni, asociacioni, Ushtria, zgjedhjet, e reforma zgjedhore.
Bilall Sherifi nga Nisma, thotë se takimet deri tash janë mbajtur për të relaksuar raportet mes palëve, por thotë se edhe nëse në një takim të radhës nuk ka ndonjë rezultat, më nuk ka arsye për takim.
Edhe për AAK-në më nuk kanë kuptim takimet e tilla pa rezultate.
Takimet mes pozitës e opozitës kishin nisur pas krizës për çështjen e demarkacionit.
Një takim i tillë ndodhi edhe në fundin e marsit në Tiranë.