Loading…

Dhunimi i 11 vjeçares, zbulohen arsyet pse u vonua ekzaminimi i telefonit të viktimës

  • 23/09/2022 | 21:43

Dhunimi i 11 vjeçares, zbulohen arsyet pse u vonua ekzaminimi i telefonit të viktimës

Ekzaminimi i telefonit të 11 vjeçares në Prishtinë, kishte dërguar te kapja e të dyshuarve për trafikimin e dhunimin e saj.


Por që organeve të ndjekjes iu ishte dashur më shumë se 2 muaj për të bërë ekzaminimin e telefonit, që ishte pjesë e dosjes së prokurorisë.

Me rastin e sigurimit të dosjes se kësaj lënde portali Kallxo.com kishte kërkuar nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë sqarime për vonesat në ekzaminim të telefonit.

Agjencia ka thënë se sipas tyre nuk ka pas vonim të raportit, pasi që Agjencia i trajton paraprakisht rastet e paraburgimit, ndërsa rastet tjera trajtohen sipas listës me rënditje kronologjike.

Sipas kësaj logjike, në rastin ku dyshohet se është dhunuar një e mitur nuk ka prioritet për ekzaminim të telefonit, pasi rasti nuk është me masë të paraburgimit.

“Përveç nëse nga palët (Prokurori apo Gjyqtarët kompetent) kërkohet ndryshe, sepse të gjitha rastet për ekspertime forenzike të IT-së janë me urgjencë (prioritet)”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në anën tjetër Prokuroria e Prishtinës në konferencën për media ka deklaruar se Agjencisë i është kërkuar trajtimi me urgjencë i ekzaminimit të telefonit.

Agjencia tutje potencon se kanë kapacitete të limitura njerëzore për këto ekspertiza pasi kanë vetëm 6 ekspertë, ndërsa ka rritje enorme të rasteve për ekzaminim.

Për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi sipas Agjencisë është mbajtur takim me kryeprokurorin e Prishtinës, Kujtim Munishi dhe prokurorët e tjerë, që rastet me paraburgim të trajtohen me urgjencë, ndërsa rastet e tjera kur ka urgjenca të lajmërohen drejtpërsëdrejti.

“Po ashtu Agjencia e Kosovës për Forenzikë ka njoftuar Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës se duke filluar nga data 01.10.2021 Agjencia e Kosovës për Forenzikë për shkak të ngarkesave dhe kërkesave të shumta për kryerje të ekspertimit rastet/kërkesat dhe numrit të madh të rasteve në pritje, rastet do t’i trajtojë sipas radhës gjegjësisht numrit portokollar të prioriteteve, gjeneruar në mënyrë automatike”, vazhdon përgjigjja e tyre.

Ndërsa nga Agjencia nuk kemi marrë përgjigje konkrete se kërkesa e prokurorisë për rastin e 11 vjeçares a ka përmbajtur mbishkrimin ‘urgjente’, por se Agjencia thotë se të gjitha rastet janë urgjente.

“Për shkak të kapaciteteve të limituara njerëzore dhe teknologjike i trajtojmë sipas përshkrimit të mësipërm d.m.th fillimisht trajtohen rastet me paraburgim për shkak të afateve kohore të hetimeve, ndërsa rastet trajtohen sipas listës/radhitjes kronologjike të pranimit përveç nëse nga prokurori apo gjyqtarët kompetent kërkohet ndryshe”.

Ndërsa për kohën që i duhet Agjencisë për ekzaminimin e telefonit, thuhet se varet nga gjendja e telefonit dhe nga disa faktorë të tjerë.

“Gjatë ekzaminimit zakonisht përdoren 2-3 metodat të ekzaminimit të telefonave të cilat na i ofron pajisja/programi forenzik të cilat në fund e bëjnë përmbledhjen e të gjeturave dhe i vendosin në një raport final i cili mund të ketë me dhjetëra mijëra faqe informacione të nxjerra nga telefoni”, është deklaruar tutje Agjencia.

Përmes ekzaminimit të telefonit ishte zbuluar kjo dosje e dhunimit dhe trafikimit. /Kallxo.com/

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë