Në fund të muajit gusht, opinioni publik në vend u trondit kur disa persona, prej tyre edhe të rritur dyshohet se kishin dhunuar për orë të tëra një 11 vjeçare, nga hetimet e zgjeruara doli se po të njëjtën viktimë gjatë muajit qershor e kishin dhunuar edhe disa persona të tjerë, dhe dyshohet se viktima kishte rënë pre e trafikimit, dhunimit, dhe keqpërdorimit seksual. Mirëpo ky ishte vetëm një nga rastet e shumta që së fundmi kanë përfshirë shoqërinë tonë, shkruan Gazeta Metro.
Të gjithë personat që dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, janë arrestuar si dhe u janë shqiptuar masat e ndalimit në organet korrektuese.
Se përse po ndodhin dhunimet kaq shpesh në shoqërinë tonë për Gazetën Metro kanë folur, sociologu Leutrim Sahiti, pedagogia Lavdie Abazi, si dhe psikologu Yll Avdijaj.
Si shihen këto raste të dhunës seksuale ndaj të miturve dhe adoleshentëve nga ekspertët
Për sociologun Sahiti rasti në fjalë është një dështim zingjirorë i sistemit shtetëror për të ofruar arsim dhe ambient më të sigurt për fëmijët, dhe është edhe rezultat i gjendjes sociale në të cilën ndodhemi.
“Këto raste janë dëshmi e gjendjes së rëndë sociale në të cilën gjendemi si shoqëri dhe dështimit të aparatit shtetëror për t’u kujdesur për shëndetin psiko-social të shoqërisë. Shpërfaqja e këtyre dukurive negative është dëshmi e dështimit të sistemit arsimor në vend për të edukuar fëmijët tonë, pra shkollave tona u mungon roli edukues dhe ato tani merren vetëm me pjesën arsimore por jo edhe edukative siç është dashur ta kenë”, tha ai.
E për pedagogen Lavdie Abazi së pari është alarmante vetë rritja e dhunës seksuale ndaj të miturave.
“Fatkeqësisht dhuna seksuale ndaj të miturve dhe adoleshentëve është në rritje, andaj kjo është mjaft shqetësuese për shoqërinë tonë dhe të ardhmen skeptike të fëmijëve. Këtë e dëshmojnë edhe rastet e ndodhura së fundmi të cilat bënë që të ngritët zëri edhe më tepër sa i përket mbrojtjes së të miturve dhe adoleshentëve nga abuzimet seksuale”, tha ajo për Gazetën Metro.
Rastet e abuzimeve seksuale me të mitur dhe fëmijë, e sheh shqetësuese edhe psikologu Yll Avdijaj, sipas tij është meritë e mediave të cilat po sensibilizojnë për rastet. Ai ngre shqetësimin për raste të tjera të dhunimit të cilat mbesin të izoluara dhe të pa trajtuara.
“Kjo dukuri e dhunimeve seksuale që po ndodhë kohet e fundit në shoqërinë tonë me të vërtetë është mjaft shqetësuese, si e tillë, mund te them se ka qenë prezente edhe më parë, mirëpo janë kryesisht mediat të cilat vazhdimisht informojnë e po ashtu edhe denoncimet e rasteve që bëhen shumë më shumë se sa më parë, jep një lloj ndjesie në opinionin e gjerë sikur kjo që po ndodhë, është diçka që po ndodhë vetëm tash dhe se është shpeshtuar si dukuri, Mirëpo përkunder rasteve që raportohen, duhet të kemi parasysh se akoma mbeten edhe shumë raste të tjera të izoluara dhe të heshtura e që vazhdojnë të jenë viktima sistematikisht të dhunës seksuale”, u shpreh Avdijaj.
Ku qëndron problemi në këtë mes, te familja, te shoqëria, te institucionet
E në atë se ku qëndron problemi se për se po ndodhin këto raste, dhe se përse po rritet numri i dhunimeve dhe abuzimeve seksuale ndaj fëmijëve në shoqëri, sociologu Sahiti numëron shkaqet se nga mund të kenë “rrënjë” këto dukuri.
“Pra mungesa e programeve specifike në kurrikulat shkollore që do t’i edukonin fëmijët mbi jetën, moralin, pasojat e sjelljeve dhe dukurive negative sjell pasoja të tilla ku fëmijët shkelin normat shoqërore pa qenë të vetëdijshëm për pasojat që shkaktojnë apo bartin ato në të ardhmen tek ata dhe tek viktimat në fjalë”, tha ai.
Ai edhe më tutje shpjegon faktorë të tjerë të cilën direkt ose indirekt mund të ndikojnë në këtë dukuri.
“Familja historikisht ka qenë agjenci i parë dhe më i rëndësishmi i socializimit por tani në kohën e globalizimit, zhvillimit të teknologjisë, përdorimit masiv të rrjeteve sociale në tjetrën anë si dhe tkurrja e saj në familje bërthamë (prindërit dhe fëmijët) familja e ka humbur fatkeqësisht rolin e saj primar të socializimit dhe ky është një shqetësim shumë i madh. Kjo pasi që familja dhe shkolla janë bërë të pafuqishme në rolin e tyre edukues në raport me ndikimin e rrjeteve sociale të cilat në masë të madhe po përcaktojnë sistemin e “vlerave” dhe sjelljeve të cilat bien ndesh me sistemin tonë vlerorë, normat shoqërore dhe kodin penal të Republikës së Kosovës”, u shpreh Sahiti.
E për pedagogen Abazi, të gjitha institucionet e listuara më lartë e kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë, dhe nuk duhet të “gjykohen” si të ndara, ose të “fajësohen” ndonjëra.
“Të gjithë faktorët e lartcekur luajnë një rol të rëndësishëm në edukimin, vetëdijësimin dhe parandalimin e rasteve të dhunës seksuale, andaj nuk mund ti fajsojmë si të ndara por që secila duhet të jap kontributin në formën e vete për të ofruar edukim/arsimim të mirëfillt, mirëqenie, siguri e mbrojtje për fëmijët”, tha ajo.
E në aspektin psikologjik, psikologu Avdijaj, te dhunuesit sheh diçka më të thellë, se përse ata bëhen ata dhunues me kalimin e kohës.
“Nëse flasim për personat dhunues në këtë rast atëherë mund të themi se, këta individë në njëfarë mënyre nuk kanë arritur ta zhvillojnë mjaftueshëm atë aspektin e ndërgjegjës, që është një lloj “motori” i vetëdijes, faktor që ka një rol të rëndësishëm në menaxhimin e impulseve seksuale të brendshme dhe ngacmuesve që vijnë nga jashtë”, u shpreh ai.
Madje ai shpjegon aspektin familjar, e cila është baza e ndërtimit të personalitetit të njeriut.
“Si faktor parësor mund të përmendim edukimin familjar, pasiqë është baza apo gjeneza e ndërtimit të një karakteri dhe personaliteti të individit, mungesa e një edukimi të mirëfilltë moral që përfshinë moscenimin e integritetit personal dhe dinjitetin e tjetrit, pastaj mungesa e një edukimi seksual fillimisht nga familja, gjë që shpesh herë edhe është një temë tabu si e tillë, pastaj në mungesë të këtij edukimi qoftë edhe nëpër shkolla, mendoj se mund të prodhojnë kriza të këtilla”, potencoi ai.
Psikologu në fjalë e sheh problemin edhe te pornografia, e cila ndikon negativisht në ndërtimin e personalitetit te individi.
“Fëmijet, adoleshentët gjatë zhvillimit të tyre në etapa të ndryshme përballen me ndryshime fizioloogjike, ndjesi seksuale për të cilat ata duhet të dinë, t’i njohin dhe të mësohen se si të menaxhojnë. Mirëpo, nësë këta fëmijë, adoleshentë rriten duke e marrur këtë mësim nga rruga dhe pornografia, sigurisht se kjo do të sjell shumë problem në zhvillimin e tyre në aspektin seksual fillimisht pastaj edhe në shprehjen e këtij afeksioni seksual ndaj të tjerëve”, tha Avdijaj.
Çka duhet të ndërmarrë shoqëria dhe institucionet për të parandaluar ose minimizuar këto raste
Meqenëse ky fenomen në vetvete është një problematikë shumë dimensionale, folësit tanë dhanë arsyet dhe alternativat e tyre, se si kjo dukuri do të reduktohej dhe parandalohej.
Për pedagogen Abazi duhet të intervenohet që nga dënimet për këto vepra penale, e deri te shërbimet e ndryshme sociale, çofshin mbështetëse, këshilluese ose edukative.
“Për evidentim, parandalim, rehabilitim dhe ndëshkim: Duhet të forcohen dënimet për abuzuesit; të ngriten qendra multidisiplinare të emergjencës, të shtohen përpjekjet për rehabilitim të të miturve dhe viktimave të dhunës seksuale, të hapen qendra rehabilituese apo të ofrohet shërbim ambulant i integruar socio-shëndetsorë, të ofrohet shërbimi pedagogjik/psikologjik në institucionet arsimore. Si dhe të bëhen fushata sensibilizuese për parandalimin e dhunës seksuale tek të miturit dhe adoleshentët”, theksoi ajo.
Sociologu Sahiti jep një listë se çka duhet të ndërmarrë Qeveria e vendit së pari.
“Ndër masat kryesore dhe urgjente që qeveria do të duhej të ndërmerrte do të ishte ndarja e mirëqënies sociale nga ministria e financave në ministri të veçantë e cila do të merrej me trajtimin e sjelljeve dhe dukurive negative, marrjen e masave preventive përmes instalimit të rolit të sociologut në secilën shkollë që nga niveli i ciklit të ulët shkollor, fuqizimi i qendrave për punë sociale në komuna dhe punësimi i punëtorëve social dhe trajnimi i tyre në njerën anë dhe mos lejimi që në këto qendra të punësohen persona jo adekuat siç ndodhë tani me ekonomistë, juristë e profile tjera”, tha ai për Metron.
Përveç “intervenimeve” nga institucionet qendrore qeverisëse, Sahiti gjithashtu rekomandon që edhe institucionet hetimore dhe ato të ndjekjes të bëjnë trajtim më të kujdesshëm ndaj këtyre rasteve.
“Një masë tjetër do të ishte edhe rritja e vigjilencës tek policia dhe prokuroria në menyrë që të mos tolerojnë rastet e tilla duke i liruar në procedurë të rregullt shkelësit e ligjit dhe devijantët por ata të jenë nën vëzhgim si dhe të ri-socializohen në qendra të ri-socializimit të cilat mungojnë në vendin tonë, ashpërsimi i dënimeve për shkelësit e rëndë të ligjit”, u shpreh sociologu në fjalë.
Edhe psikologu Avdijaj, jep versionin e tij, se si do të duhej që këto raste të reduktohen ose të parandalohen në të ardhmen.
“Institucionet duhet të jenë fillimisht bashkëpunuese me rastet kur denoncohet dhuna e llojit të këtillë. Duhet të ndërmarrin masa ndaj këtyre rasteve në aspektin korrektues. Njëkohësisht edhe institucionet edukativo-arsimore mendoj se duhet të bëjnë më shumë në këtë aspekt, të instalojnë nëpër kurrikulat arsimore edhe lëndë që kanë të bëjnë me shëndetin mendor, edukimin moral dhe edukimin seksual”, theksoi ai.
Si është jeta pas dhunës seksuale për viktimën, si duhet trajtuar?
Meqenëse rastet e dhunimit seksual, si ndaj të miturve, adoleshentëve dhe të rriturve, kanë edhe pasojat e veta, por si ndihet një viktimë e dhunuar seksualisht më pastaj.
“Sigurisht, se jeta e një viktimë të dhunës seksuale mund të jetë traumatike; pastaj kjo traumë mund të shfaqet dhe të manifestohet në forma të ndryshme si: me ankthe, probleme me gjumin, makthe, depresion, mungesë vetbesimi, varësi të ndryshme, e sidomos në raste kur dhuna ka qenë sistematike, të disa individë dinë të prodhojë edhe varësi seksuale, dhe çrregullime të tjera. Rruga e duhur që duhet ndërmarrë për këto raste është ofrimi i mbështetjës dhe sigurisë, trajtimi mjeksorë dhe psikoterapeutik, dhe puna e vazhdueshme për ri-integrimin e tyre në aspektin social”, tha psikologu./gazetametro.net