Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Europian dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti janë takuar dje gjatë ditës në Bruksel, ku theks të veçantë kishte dialogu Kosovë- Serbi, shkruan Gazeta Metro.
Borrell tha se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut me Serbinë, dhe se rinisja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë para fundit të qershorit.
“Rruga evropiane e Kosovës kalon përmes dialogut Kosovë-Serbi, nuk ka rrugë tjetër dhe nuk ka alternativë. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë është thelbësore për të lëvizur në perspektivën evropiane. Në të kundërtën, rruga do të jetë e bllokuar”, tha Borrell pas takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Nuk do të jetë e lehtë, por për përfitimin e njerëzve në Kosovë dhe Serbi dhe në rajon duhet që ky proces të vazhdojë shumë shpejt”, tha Borrell.
Ndërsa, Kurti konfirmoi se Kosova do të marrë pjesë në rifillimin e dialogut në muajin qershor. Ai tha se dialogu nuk do të neglizhohet nga ana e Prishtinës, mirëpo siç tha ai, ky proces duhet të zhvillohet mbi bazën e parimeve.
“Javën tjetër në Prishtinë ne do të miratojmë programin qeverisës dhe planin e punës, dhe pastaj ai do të dërgohet në kuvend. Në anën tjetër, neve na duhen më shumë dokumente për dialogun e kaluar, që të përgatitemi. Në maj do të takohemi me opozitën, për të pasur qëndrimet e tyre. Së pari do të kemi darkën e liderëve të Ballkanit Perëndimor në maj dhe pastaj dhe në qershor do të fillojmë me kapitullin e ri të dialogut”, tha Kurti.
Kujtojmë, që Kurti në vizitën e tij të parë në Bruksel, që prej se është zgjedhur kryeministër i Kosovës, po ashtu ka marrë pjesë në një seancë të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Të mërkurën, delegacioni i Kosovës, që përbëhet nga Kurti dhe dy zëvendësit e tij, Donika Gërvalla dhe Besnik Bislimi, kanë takuar komisionarë të BE-së për çështje ekonomike, energji, bujqësi, zhvillim rural dhe financa, ndërkaq gjatë ditës së sotme, takimet do të jenë më shumë të karakterit politik./gazetametro.net