Loading…

Dialogu i ndërmjetësuar nga SHBA’të duhet parë si mundësi e jo thjeshtë si detyrim

  • Nga

  • ADRI NURELLARI

  • 11/03/2020 | 14:54

Dialogu i ndërmjetësuar nga SHBA’të duhet parë si mundësi e jo thjeshtë si detyrim

Ditëve të fundit debati publik në Kosovë dhe mbarë trojet shqiptare lidhur me çështjen  delikate të dialogut, është duke u përqëndruar tek presioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjen e tarifës doganore 100% të vendosur nga qeveria e kaluar. Fatkeqësisht kjo tema e shumëpërfolur e taksës dhe mënyra se si është trajtuar dhe vazhdon të trajtohet çështja e dialogut, ka rikthyer e masivizuar në opinionin publik të Kosovës bindjen se dialogu me Beogradin është medoemos i dëmshëm. Ka bërë që të krijohet përshtypja se ripërfshirja e Kosovës në dialog nëpërmejt heqjes së taksës, duhet bërë vetëm si shprehje e mirënjohjes ndaj amerikanëve apo si dorëzim përkundrejt presioneve e kërcënimeve të tyre, e jo se dialogu në vetëvete i leverdis vetë Kosovës. 


Shkruan: Adri Nurellari

Madje ligjërimi ka arritur edhe në tonet e alarmit me tone anti-amerikane duke ngjallur dyshime të rënda për motivet e shtyrjes së këtij procesi prej Shtëpisë së Bardhë. Ka shkuar deri aty sa disa janë  përpjekur të lënë të kuptohet se SHBA nuk po mbron më interesat tonë por po na jep diçka për ta gëlltitur me zorr. Disa zëra të tjerë kanë filluar sërish të ngrejnë hamëndësime të tipit “duhet të orientohemi nga evropianët tanimë që amerikanët” spo na i mbrojnë si më parë interesat tona. Në një intervistë të ditëve të fundit zv/ kryeministri Abazi theksonte se SHBA-të kanë më shumë investime në Serbi sesa në Kosovë duke nënkuptuar që amerikanët kinse janë tepër të lidhur me serbët në partneritet tanimë e për rrjedhojë jo detyrimisht mbrojtës të interesave shqiptare. Të tjerë janë marrë personalisht me Grenellin e Trumpin duke dashur që të krijojnë përshtypjen se ky presion është kalimtar e lidhet vetëm me këta dy persona e jo me SHBA-të.

Fatkeqësisht edhe një pjesë e atyre që e përkrahin idenë e rinisjes së dialogut me Serbinë kanë rënë pre e kësaj gracke të inkuadrimit (framing) dhe sjellin si argument kryesor idenë se ua kemi borxh amerikanëve dhe aleatëve të tjerë perëndimorë që të jemi të dëgjueshëm ndaj tyre. Ndërkohë ka boll shkaqe për të menduar e besuar se është në dobinë e Kosovës një proces dialogu me Serbinë që do të sillte një marrëveshje paqje ligjërisht të obligueshme të garantuar nga SHBA e BE, ku do të përfshihej njohja e ndërsjelltë, zhbllokimi i anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe përshpejtimi i  rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO. Jo vetëm që një negociatë që synon një marrëveshje paqje që sjell njohjen dhe çimentimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është në interesin tonë, por gjithashtu është akoma më shumë në interesin tonë që ndërmjetësues në këtë proces të jetë pikërisht aleati më i rëndësishëm i vendit tonë.

Pra përtej retorikës nëse ua kemi apo jo borxh aleatëve amerikan këtë dëgjueshmëri apo dorëzim përkundrejt presionit të tyre, ne duhet së pari të analizojmë a na leverdis apo jo ky angazhim intensiv i niveleve më të larta qeverisëse amerikane ne arritjen e një paqeje përfundimtare me Serbinë. Për një kohë të gjatë, figura të ndryshme politike që ishin kritikë ndaj dialogut të Brukselit, për një kohë të gjatë kërkonin pikërisht që ky dialog të lehtësohej nga amerikanët e jo evropianët e dyshimtë.

Fakti që SHBA-të si shteti me i rëndësishëm aleat, vendimtar për krijimin dhe mbijetesën e Kosovës, po bëjnë presion për t’u përfshirë në një proces , nuk do të thotë detyrimisht se motivi është dashakeq apo synimi është i dëmshëm për Kosovën. Po të bëjmë një paralelizëm, ne tashmë e kemi pranuar këtë qasje me BE-në e cila na bën presion në forma të ndryshme për reforma e hapa konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit apo në përpjekjen për të ndërtuar institucione funksionale demokratike, një ekonomi tregu si dhe standarde të larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut e të pakicave. Procesi i integrimit evropian ku jemi futur ne e mbarë Ballkani është një proces kushtëzimi e presioni me “karrotë e shkop” pra “shpërblim e ndëshkim”, për të na detyruar të bëjmë disa reforma të dobishme për vendin e popullin por që nuk u leverdisin elitave politike aktuale të cilat përfitojnë nga status quo-ja. Këtu duhet theksuar se anketat e ndryshme i nxjerrin shqiptarët si mbështetësit më të zjarrtë të procesit të integrimit evropian pavarësisht se ky është një proces i mundimshëm, shpesh me kushte  e reforma që janë të vështira për t’u kapërdirë si dhe me një presion të vazhdueshëm të drejtpërdrejtë prej Brukselit që shpërfill politikanët apo klimën e opiniont në vend. Pra përderisa pranojmë kushtet e bashkëpunimit nën presion me BE-në përse nuk pranohet e njëjta gjë nga SHBA-të që janë edhe më afër me ne.

Këtu hyn aspekti tjetër edhe më i rëndësishëm sesa kushtëzimi në vetëvete e që ka të bëj me domethënien e raportit tonë me SHBA-të përkundrejt BE-së. Fatekqësisht BE-ja ka humbur gjithmonë e më shumë respektin si mediator dinjitoz në publikun e Kosovës gjatë viteve të fundit. Kjo gjë ka ardhur si pasojë e trajtimit me standarde të dyfishta për liberalizimin, dështimit me misionin e EULEX-it në veri e mbarë vendin, mos-mbajtjen e një qendrimi koheziv përkundrejt Kosovës duke mos ia dalë që të binden pesë vende anëtare që ta njohin Kosovën etj. Ndryshimi tektonik i politikës së brendshme si pasojë e Brexit-it dhe forcimit të partive jo-konvencionale euroskeptike, ia ka ulur akoma më shumë vullnetin Brukselit për t’u marrë seriozisht me Ballkanin. Për më tepër emërimi i Borellit si përfaqësues i politikës së jashtme dhe Lajçakut të dërguar për Kosovën, që vijnë që të dy nga vende që nuk e njohin Kosovën (respektivisht Spanja dhe Sllovakia), e bën akoma më të dyshimtë rolin objektiv e dashamirës të BE-së në procesin e dialogut.

Prandaj rikthimi i vëmendjes dhe angazhimit intensiv të SHBA-ve për çështjen e Kosovës, duhet parë jo me paragjykim si kërcënim e shantazh dashakeq, por si oportunitet i jashtëzakonshëm dashamir për ne. Leverdia është e dyfishtë. Nga njëra anë SHBA-të janë më dashamire e besnike ndaj Kosovës sesa BE-ja, e për rrjedhojë kemi më pak arsye për të qenë të friksuar apo shqetësuar kur futemi në një proces dialogu që ka ndërmjetësim amerikan. Nga ana tjetër SHBA-të përbëjnë edhe aktorin më serioz dhe të fuqishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare sot. Për BE-në vazhdon akoma të thuhet se është “gjigand në ekonomi por xhuxh në politikën e jashtme”. Përpos kësaj në mungesë të harmonisë gjeopolitike të brendshme të BE-së ende vlen shprehja e dikurshme e Kisingerit që thoshte  se “Cilit numër telefoni duhet ti bie nëse dua të flas me Evropën”.

Faktikisht krizat më të mëdha të rajonit janë zgjidhur falë ndërhyrjes së SHBA-ve e këtu bëhet fjalë jo vetëm për Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar, por edhe gjatë viteve të fundit. Në periudhën e fundit, vetëm fal ndërhyrjes së fortë amerikane u mundësua futja e Malit të Zi në NATO dhe nënshkrimi i marrëveshjes së Prespës mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut duke zhbllokuar integrimin euro-atlantik për këtë të fundit. Marrëveshjet e paqes nuk kanë nevojë vetëm për një ndërmjetësues të besueshëm e të respektuar nga të dy palët për të bërë negociatat, por kanë nevojë edhe për një dorëzanë që i dëgjohet llafi për të garantuar zbatimin e marrëveshjes.

Ka shtete neutrale si Zvicra e Norvegjia që janë intensivisht të përfshira me sukses si ndërmjetësues ne negociata për të zgjidhur konflikte por vështirë se mund të gjendet tjetër aktor në botë si SHBA-ja që mund “t’i tërheqi veshin” në mënyrë më efikase kujtdo pale që shkel kontratën e nënshkruar me ndërmjetësimin e tyre. Pa folur për rolin vendimtar në forume botërore, mjafton të përmendet ushtria amerikane që  harxhon 693 ose afërsisht 36 përqind të shpenzimeve të mbrojtjes në botë dhe ka 800 baza ushtarake në më shumë se 70 shtete e territore jashtë SHBA-ve si dhe ka 11 aeroplan-mbajtëse aktive nga 20 që janë gjithsej në botë.

Në mbyllje duhet gjithashtu të vihet në dukje se përfshirja në dialog nuk nënkupton medoemos pranimin e çdo marrëveshje që propozohet nga palët e përfshira. Pra nëse kryeministri e gjen kurajon për t’u përfshirë në dialog ka mundësi edhe të ofrojë zgjidhje e propozime alternative për ujdi edhe të bllokojë ato që mendon se nuk janë të duhurat. SHBA-të nuk po mbështesin ndonjë version specifik apo përmbajtje konkrete por riaktivizimin e procesit të dialogut. Ajo që vlen të theksohet e të kuptohet mirë është se nëse ndonjëherë do duhej që Kosova të hynte në negociata për ta pasur një marrëveshje paqe me SHBA-të, ndërmjetësues më të mirë e më efikas vështirë se gjen dot. Mirëpo problem ka për të qenë gjetja e një gatishmërie e angazhimi intensiv nga ana e SHBA-ve për t’u përfshirë intensivisht sikurse tani,  në kushtet kur bota është e mbushur me vatra të tjera të shumta krizash edhe më të mprehta të nxehta se konflikti ynë i ngrirë.

(Autori i kësaj kolumne është analist i njohur politik)

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë