Loading…

Dialogu pa Presidentin dhe Kryeministri pa amerikanët

  • Nga

  • FATON ABDULLAHU

  • 16/07/2020 | 09:56

Dialogu pa Presidentin dhe Kryeministri pa amerikanët

Kohë më parë dialogu pat rifilluar me iniciativën e amerikanëve. Uashingtoni zyrtarë ishte edhe disajnues i këtij projekti, konkretisht përfaqësuesi Grenell. Presidenti Thaçi bashkë me Kryeministrin Hoti ishin të përzgjedhur për ta përfaqësuar Kosovën, edhe nga ana e Uashingtonit zyrtarë ata të dy vlerësoheshin se bashkë mund ta shtyjnë përpara këtë proces. Por siç dihet çdo gjë u ndërpre nga një aktakuzë e Gjykatës Speciale për shumëçka politike e sidomos për formën dhe kohën kur u bë.


Faton Abdullahu

Mirëpo Gjermani dhe Franca, por edhe BE-ja si tërësi me përfaqësuesin Jalçak, rifilluan dialogun pak më ndryshe, në të vërtetë krejt ndryshe dhe kësaj radhe pa amerikanët. Kryeministri Hoti preferoj që të mos bëjë asgjë më shumë, sa i përket dialogut të penguar të cilin e iniciuan amerikanët, dhe vazhdoj dialogun me Serbinë tash të ndihmuar dhe dizajnuar nga BE-ja, thua se nuk ka ndodhur asgjë. Prej nga ky zell dhe përkushtim i Qeverisë Hoti që të vazhdoj dialogun me Serbinë ndihmuar nga BE-ja, e jo atë nga SHBA-ja. A ishte i shtrënguar z. Hoti ta bëj një gjë të tillë ? A i kanë thënë nga Uashingtoni zyrtarë, s’ka problem vazhdo dialogun të cilin po e organizon BE-ja edhe pse ne nuk jemi aty? A ka mundur Qeveria aktuale të kërkoj që në dialog, organizuar nga BE të marr pjesë edhe Presidenti Thaçi, së paku ta bënte këtë në shenjë solidarizimi me partnerin e dialogut, e nëse kjo nuk ishte e mundshme, a ka mundur të kërkoj që në shenjë pakënaqësie të shtyhet dialogu së paku përkohësisht ? Ose ndryshe, a ka mundur që të bëjë diçka, mbase edhe më racionale të kërkoj që dialogu të mos rifilloj tani, në këtë shkallë të përhapjes së virusit (gati gjendje e jashtëzakonshme) sepse thjeshtë një pjesë e madhe e energjisë politike jo vetëm e Qeverisë, orientohet në dialog në vend se të përqendrohet në menaxhimin e situatës me shumë dëme e probleme, që po i shkakton pandemia e të cilat janë alarmante gjithsesi jo vetëm në sferën e shëndetësisë.

Qeveria Hoti përkundër të gjithave ka preferuar të vazhdoj të tregohet konstruktive me BE-n dhe për BE-n, duke përsëritur ‘dialogu s’ka alternativë’. A thua që këtë, Qeveria Hoti e ka bërë dhe po e bën sepse e ka kalkuluar që në çdo aspekt tani janë rrethanat më të përshtatshme që të nxirren përfitime përmbajtësore nga dialogu me Serbinë? A e ka bërë këtë kjo Qeveri sepse ka menduar se s’ka problem që organizatore e këtij dialogu nuk është SHBA-ja dhe a e ka pasur parasysh se raportet Bruksel – Uashington, kurrë nuk kanë qenë në nivel më të ulët, dhe për më shumë a e ka parasysh Qeveria Hoti se përkrahjen të cilën e ka brenda vendit si Qeveri, është aq minore dhe me probleme, saqë nuk mund t’i garantoj askujt se ajo që arrihet në Bruksel edhe do të përkrahet nga shumica e domosdoshme në Kuvend ? Është jashtë çdo dyshimi se të gjitha këto Qeveria Hoti i ka pasur parasysh dhe i ka llogaritur. Mirëpo ka një çështje tjetër e cila si duket ka qenë më e rëndësishme dhe kruciale për te, e cila e ka shtyrë të vazhdoj dialogun pa Presidentin Thaçi, pa SHBA-n, dhe gjithsesi pa përkrahjen minimale të nevojshme në Kuvend dhe gjetiu për dialogun.

Përpjekja për tu faktorizuar me dialog dhe për rrjedhojë ta zgjatë qeverisjen, përpjekja që atë që nuk e ka fituar me vota ta kompensoj me dialog, është ajo më e rëndësishmja që e shtynë Qeverinë Hoti të sillet kështu në raport me dialogun me Serbinë. A kam të drejtë të konstatoj kështu ?

Për shkak të shumë mangësive që i ka, e parasëgjithash për shkak se është Qeveri minore, Qeveria Hoti që nga fillimi i punës vuan nga mirëkuptimi i tepruar. Sa më pak përkrahje ka ajo si Qeveri, e këtë e ka krejt minimale, aq më shumë ajo e ka tepruar me mirëkuptimin prej të voglit, që nuk po i sjell dobi askujt, përveç asaj.

Thënë ndryshe, ajo që po i mungon Qeverisë Hoti brenda vendit po mundohet ta kompensoj jashtë vendit. Këtë po e bën me dialogun me Serbinë. Brenda vendit Qeverisë Hoti i mungojnë shumë gjëra. I mungojnë edhe minimumi i votave në Kuvend, nga 61 të cilat mezi i siguroj për tu konsistuar, i mungon shumica shqiptare, sepse krejt PDK-ja dhe VV-ja janë jashtë kësaj Qeverie dhe për më shumë, Lista Serbe kësaj radhe është me ndikim ekstra të madh e kjo mund të stërkeqet sidomos nëse vazhdohet dialogu me Serbinë në këto rrethana.

Thënë përmbledhtazi Qeveria Hoti me atë që po bënë dhe me atë që la pa bërë nuk e ka rikthyer Kosovën në agjendën e Uashingtonit zyrtarë, prej nga me paranojë politike mbi dialogun e kishte larguar Qeveria Kurti. Nuk ka rrethana më të pafavorshme se këto të krijuara pas aktakuzës politike kundër Presidentit Thaçi dhe ato të stërkequra nga pandemia, që të vazhdohet me dialogun duke shpresuar se kjo do të sjell dobi Kosovës. Por kështu nuk po e sheh Qeveria Hoti. Ajo e ka kuptuar se ‘karburant i eksportuar politik’ për të mbetur në pushtet dhe vazhduar qeverisjen, mbetet dialogu me çdo kusht, në çdo rrethanë dhe për çdo rrethanë. Keq.

(Autori është analist i njohur politik dhe kjo kolumnë është shkruar për Gazetën Metro)

 

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë