Loading…

Disa fjalë për Ezanin dhe Kiblën: Rëndësia e tyre dhe mospajtimet rreth tyre

  • Nga

  • MUSTAFë BAJRAMI

  • 14/07/2019 | 12:13

Disa fjalë për Ezanin dhe Kiblën: Rëndësia e tyre dhe mospajtimet rreth tyre

Ezani dhe Kibla janë dy simbolet më të rëndësishme në jetën e myslimanit. Janë frymëzues dhe orientues në kohë e hapësirë, ndërsa në rrafshin psikologjik luajnë rolin e mbajtjes tok të shoqërisë myslimane. Janë universal e në të njëjtën kohë janë edhe unikat. Sepse, që të dyja kanë të bëjnë me namazin, ndërsa namazi, është shtylla e fesë islame.


Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami

Ezani në rrafshin kohorë është fryma e cila shtrihet prej ditëve të para të Islamit e deri më sot, ndërsa në rrafshin hapësinorë, prej një skaji në skajin tjetër të botës. Ai përfshinë të gjitha nivelet intelektuale, reflekton në fusha të besimit, nxitë veprime të caktuara dhe ndikon në sjelljet e njeriut. Ezani gjen shtrirje edhe në marrëdhëniet mes njerëzve, komuniteteve dhe popujve të ndryshëm.

Këto shtrirje kapërthejnë dimensione të shumta, andaj, studimi i ezanit, përveç që ka karakterin teologjik, kërkon edhe shtjellimin e dimensioneve matanë teologjike. Megjithatë, siç thotë Kur’ani: “Edhe nëse nuk i bie shi i madh, i bie një rigë (që i mjafton)” (el-Bekare, 265), nisma jonë për të trajtuar Ezanin dhe Kiblen që në fakt janë “pronë” e miliarda myslimanëve, është një përpjekje jona modeste për të dhënë një kontribut në debatin që herë pas here hapet tek ne. Ndonjëherë si kërkesë që të dëgjohet edhe më larg, e ndonjëherë si zhurmë që i pengon qytetarët.

Të jemi të qartë! Çështja e ezanit është çështje që lidhet me besimin në Një Zot, që ka të bëjë me falënderimin ndaj Zotit dhe është thirrje për t’i rënë në sexhde Atij. Kjo çështje, pra, ndërthurë relacionet shumëdimensionale të unit mysliman ai ato shpirtërore, sociale, ekonomike e politike. Ezani i jep fesë islame ngjyrën e një sistemi unikat dhe e shpallë atë si lëvizje krijuese e përbashkësisë njerëzore që pranohet gjithandej nëpër botë.

Kur Islami filloi të përhapet, shoqërisë së parë myslimane filluan t’i bashkoheshin kultura e civilizime të ndryshme. Shoqëri të tëra ndikoheshin nga ezani. Universaliteti i Islamit manifestohej sidomos nëpërmes ezanit. Popujt që hynin nën ombrellën e fesë islame, ndërkaq, vërenin frymën e afërsisë mes vete njashtu siç vërejnë banorët e tokës rrotullimin e tyre rreth diellit. Ezani arriti të bëhet mjet unifikimi. U bë thirrja më e fortë për bashkim, pa marrë përsyshë racën, gjuhën apo ngjyrën e lëkurës së njerëzve.

Ezani është thirrja e cila i lajmëron njerëzit për kohët e namazit. Nuk është kusht i fesë, por është njëri prej riteve më kuptimplota të fesë islame. Edhe pse ka shumë pak fjalë, ai përfshinë themelet e besimit. Fillon me deklarimin e madhështisë së Zotit, thotë se Ai është Një, mohon politeizmin dhe dëshmon se Muhamendi a.s. është i dërguar i Allahut. Ezani proklamon mirëqenien e përgjithshme, fton t’i kthehemi hyjnores, dhe në fund, duke u përqendruar në Njësinë e Zotit, dëshmon se nuk ka Zot tjetër pos Allahut. “Po të dinin njerëzit se çfarë vlere ka ezani dhe rreshti i pare gjatë faljes së namazit me xhemat, ata do të garonin për të”, kishte thënë Muhamedi a.s. Teknikisht, thirrja e ezanit është sunnet-i muekkede në pesë kohët e namazit, për namazet kaza dhe në namazin e xhumasë. Ezani dhe ikameti këndohen në drejtim të kibles. Zyrtarizohet në vitin e parë pas hixhres.

Për ezanin thamë se duhet kthyer kah kibla teksa e lexojmë. Thamë gjithashtu se është fryma e cila në rrafshin kohor shkrihet prej ditëve të para të Islamit, ndërsa në rrafshin hapësinor, prej një skaji në skajin tjetër të botës. Fryma dhe mesazhi i ezanit depërtojnë kudo në botë. Dhe, meqë bota lëvizë në mënyrë harkore, grimcat reflektuese të ezanit shpërndahen gjithandej në ekzistencë. Folur simbolikisht, kibla e myslimanëve ka domethënien e lëvizjes harkore dhe të orientimit ka një pikë e caktuar. Ka një pikë ku buron frymëzimi për të qenë bashkë dhe për tu bashkuar barabarësisht edhe me të tjerët.

Për Kiblen flasin dymbëdhjetë ajete të sures el-Bekare. Prej ajetit 142 e deri tek 154 Kur’ani vlerëson shumë lartë peshën dhe filozofinë e Kibles. Nëpërmes këtyre ajeteve Kurani prekë edhe disa tema të tjera që kanë të bëjnë me shoqërinë myslimane, e sidomos refleksionet e kibles mbi atë shoqëri.

Për ta kuptuar këtë edhe më mirë, fillimisht duhet të themi se çdo gjë që ekziston në mikrokozmikë dhe makrokozmikë, i nënshtrohet ligjit të lëvizjes, të rrotullimit. Nga lëvizjet qarkore të entitete buron energjia centrifugale dhe centripetale e tyre. Logjikisht dhe nga këndvështrimi matematikor është e vërtetuar se nga lëvizjet rrotulluese krijohet harmonia mes pjesëzave dhe tërësisë së tyre. Siç është e ditur, në natyrë çdo gjë lëvizë, ose në mënyrë harkore ose në ndonjë formë tjetër të lëvizjes. Ama, gjërat lëvizin. Është ligj i Zotit ky. Përderisa kozmosi është manifestimi i ligjshmërisë makrokozmike, atomi është manifestimi i ligjshmërisë mikrokozmike. Pjesëzat e atomeve si, neutronet, elektronet dhe të tjerat lëvizin pandërprerë dhe në mënyrë qarkore. Njëjtë sikur ato, në galaksinë e largët gjallëron po e njëjta lëvizje e trupave qiellorë. Ata trupa sillen në hapësira të caktuara dhe rrotullohen përreth trupave tjetër qiellorë. Ky ligj i rrotullimit vlen edhe për botën shpirtërore. E, meqë “el-Kur’anu kevnun natikun, ve’l kevnu Kur’anun samitun”, (Kur’ani është gjuha e natyrës që flet, ndërsa natyra është gjuha e Kur’anit që heshtë), atëherë, nuk është e çuditshme pse Kur’ani nuk mund të mos e kishte përmendur këtë ligjshmëri të Zotit.

Kibla ndërlidhet shumë ngishtë me fenomenin e Ezanit. Është epiqendra rreth së cilës rrotullohen myslimanët dhe së cilës i drejtohen asaj gjatë faljes së namazit. Myslimanët tek Qabja, që është kibla e tyre, gjejnë frymëzimin për t’i njohur ligjet e Zotit dhe për t’i vënë në praktikë. Kibla, pra, nuk është Qabja si Qabe, por është hapësira ku është e përqendruar Qabja.

Tekstualisht, Kibla është ana e botës kah e cila kthehen myslimanët në namaz. Ajo është simboli i universalitetit të Islamit. Nuk është as lindje as perëndim, por është epiqendër. Është pika simbolike dhe faktike rreth së cilës drejtohen dhe rrotullohen myslimanët. Është qendra e cila gjendet në Mekë, është burimi i shpirtit islam dhe frymëzuesja më markante për myslimanët. E rëndësishmja e Kibles qëndron mbi atë se është universale dhe unikate, është vendi ku çdo mysliman e ripërtërinë shpirtin e tij individual dhe shoqëror. Individual, teksa kthehet kah ajo në namaz, e shoqërorë, teksa e kryen haxhin. Kjo hapësirë nuk është abstraksion, por është e “prekshme” dhe flenë thellë në shpirtin e myslimanit.
Historikisht dihet se myslimanët në fillim kur falnin namazin ktheheshin kah Kudsi Sherifi – Jerusalemi. Sipas asaj që mësojmë nga ajetet e Kur’anit, kthimi i tyre kah Kudsi ishte i përkohshëm. Ishte ky një veprim strategjik i Muhamedit a.s në raport me hebrenjtë dhe të krishterët. Nëpërmes kësaj, Kur’ani tregon kontinuitetin e Shpalljes. Tregon se Muhamedi a.s. ishte vazhdimi i zinxhirit të profetëve para tij dhe i fundit në historinë e Shpalljes. Ky veprim strategjik i Kur’anit i bënte me dije njerëzit se Muhamedi a.s. ishte i të njëjtës fe që ishte edhe Musai edhe Isai a.s. Kthimi kah Mesxhidul Aksaja në Kuds, Muhamedit a.s. dhe myslimanëve të parë nuk i pengonte fare. Qenësore ishte falja e namazit, vënie e kokës në sexhde për hir të Allahut dhe pika rreth së cilës kishin nevojë myslimanët të tuboheshin. Dhe, kjo është ajo që e bënë të shtrenjtë Kudsin. Kudsi, kibla e parë e myslimanëve nuk është diçka politike e as mund të shpjegohet vetëm me terme politike. Kibla, pra, sikur edhe ezani është pronë e miliardave njerëzve që jetuan dikur e shkuan, e këtyre që jetojnë sot dhe e gjithë të tjerëve që do të vijnë deri në Ditë të Kijametit.
Në kohën kur myslimanët në namazet e tyre ktheheshin kah Kudsi, Kudsi në atë kohë ishte kibla edhe e të krishterëve dhe hebrenjve. Siç mësojmë nga ajetet 145 dhe 149 të sures el-Bekare, nga frika e mosmarrëveshjeve të mundshme që mund të ndodhnin mes myslimanëve dhe të tjerëve, sepse edhe dukej se një pjesë e të krishterëve dhe hebrenjve do të mbesin në fenë e tyre, Muhamedi a.s. një ditë u kthye me fytyrë kah qielli dhe u lut për zgjidhjen e kësaj çështje. Kështu, në muajin Sha’ban të vitit të dytë pas hixhretit zbret ajeti i cili urdhëron myslimanët të kthehen kah Qabja. Tani më definitivisht po përcaktohej drejtimi i Kibles së myslimanëve. “Ne shumë herë po shohim kthimin e fytyrës tënde kah qielli, e Ne gjithqysh do të drejtojmë ty në drejtim të një kibleje (Qabja) që ti e do atë. Pra, kthehu anës së xhamisë së shenjtë dhe kudo që të jeni (o besimtarë) kthehuni kah ajo anë. E atyre që u është dhuruar libri, ata e dinë sigurisht se kjo (kthesë) është e vërtetë nga Zoti. E Allahut nuk mund t’i fshihet ajo që veprojnë ata”. (el-Bekare, 144).
Është interesant fakti se kur Kur’ani flet për Kiblen, flet edhe për pozicionin e shoqërisë myslimane që duhet ta kenë. “Ve kedhalike xhe’alnakum ummeten vasaten” ishte përgjigjja ndaj hebrenjve të cilët rrotullimin rreth Qabes e shihnin një formalitet të thatë. Ata nuk e dinin se tubimi rreth një kible për myslimanët kishte rëndësi më të madhe se sa vetëm një kthim teknik kah Qabja. Ata nuk mund ta kuptonin rolin e gjithë kësaj. Të krishterët gjithashtu nuk e kuptonin se kthimi i myslimanëve ka kibla e re, ishte tolerancë në përmasa të një tërheqje strategjike nga konflikte të mundshme mes tri feve monoteiste. Ky ajet tregon për pozitën e mesme që e mban Islami. Tregon se feja islame ishte lufta e pa kompromis kundër skajshmërive. Ishte thirrja për zbutjen e teheve të skajshme, jo vetëm politike, por e të gjitha veprimtarive tjera shoqërore. Ç’është e vërteta, Islami u përqendrua në kompromisin mes materies e trupit nga njëra anë dhe shpirtit e frymës nga ana tjetër. Mes dunjasë dhe ahiretit. Mes ndjeshmërisë dhe arsyes, mes vlerave morale-shpirtërore dhe të mirave materiale. Të gjitha këto Islami i shihte si anë të ndryshme të një tërësie të vetme. Njeriu, sipas Islamit është edhe shpirti edhe materia. Ai ka nevojë për të mirat materiale dhe për vlera shpirtërore, sepse, secila nga këto ka domenin e vet dhe funksionet që duhet t’i kryejnë. Shikimi i njëanshëm në njeriun paraqet njëanshmëri të rrezikshme e cila pamundëson të shihet e vërteta si tërësi. Aty ku humbet baraspesha, aty niset rruga pa krye kah katastrofa. E sotshmja është dëshmitare e prishjes së kësaj balance. Dëshmitare e humbjes së pozitës së mesme, aty ku puqet materia me shpirtin.
Është indikative se këto ajete që flasin për Kiblen, flasin gjithashtu edhe për dëmin që vjen nga pasimi symbyllazi i të tjerëve. Fjala “Leintteba’te ehvaehum”, ishte vërejtje serioze ndaj Muhamedit a.s. dhe gjithë myslimanëve. Kur’ani u thotë se nuk bënë të jenë kopjues e pasues të të tjerëve vetëm pse u bie më lehtë. Duhet të jenë vetëmohues dhe të kenë elan për punë. Kjo vërejtje do të vlente edhe për dijetarët e mëvonshëm myslimanë të cilët mbyllën derën e ixhtihadit dhe filluan pasimin qorrazi të dijetarëve të mëhershëm. Në këtë kohë u përhapën keqinterpretime dhe bidate të ndryshme. Disa nga ata që përtonin të ballafaqoheshin me probleme, duke mos shikuar në nevojat e kohës dhe duke mos i përcjellë dinamikat e saj, u treguan tolerantë edhe aty ku nuk duhej të tregoheshin. Mos të harrojmë, Muhamedi a.s. kishte arsye të tregohej oportunist ndaj devijimeve më shumë se sa dijetarët myslimanë që u treguan të tillë ndaj bidateve. Muhamedi a.s. nuk u tregua lojal ndaj devijimeve dhe të ligave. Ishte këmbëngulës dhe kundërshtar i rreptë ndaj imitimeve. Ai iu rrek problemeve dhe me ngulm punoi t’i zgjidhte ato. Po mos të ishte i tillë Muhamedi a.s, si do të mundte të krijonte një shoqëri të pavarur dhe konsistente në përmasa të një civilizimi? Po ti mbyllte sytë para devijimeve dhe po të heshte para të ligave që vinin nga imitimet symbyllazi, a do të mund të krijonte atë shoqëri kaq të konsoliduar?
Përndryshe, rëndësia e Qabes që është në pozicionin e Kibles, nënkupton rrotullimin e lëvizjes harkore të shoqërisë myslimane, dhe duke u rrotulluar ashtu, shoqëria islame tërheq rreth vetes “grimcat” e saja dhe i mbështetë ato. Edhe pse rrotullimi rreth Qabes në fakt është ritual obligativ, si rrotullim edhe simbolik që është, Qabja i tejkalon përmasat e vetëm një ndërtese. Tek e fundit, përveç gurit të zi që ka domethënie historike-fetare, ajo nuk ka ndonjë gjë tjetër të jashtëzakonshme. Si ndërtesë është ndërtesë sikur të gjitha ndërtesat. Ajo që e bënë Qaben të jashtëzakonshme, është pikërisht fryma dhe shpirti që reflekton ajo.
Nisur nga këtu dhe duke përfunduar temën, duhet të shtoj edhe atë se njeriu sot është në kërkim të një “kible” të përbashkët rreth së cilës duhej të sillej njerëzimi. Një “kibël” që do ta frymëzonte njeriun modern për t’i shpëtuar tundjeve që e kanë kapluar. Njeriu sot është i tendosur, i hutuar dhe është duke e luftuar vetveten si asnjëherë më parë. Ai e ka prurë vetveten aty nga ku nuk e ka të lehtë të dalë pa pasoja. Me dorën e vetë e zhvilloi shkencën dhe teknologjinë, dhe me dorën e vet po e vret vetveten. Megjithatë shpresat nuk bënë t’i humbim. Zoti është i Madh. Ai është ndihmëtari më i mirë.

(Autori është teolog dhe publicist i specializuar për Islamin dhe Lindjen e Mesme. Është kolumnist i rregullt i Metros)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë