Loading…

Disa fjalë që s‘mund t’ia thonë Qosjës

  • Nga

  • 22/01/2017 | 21:07

Disa fjalë që s‘mund t’ia thonë Qosjës

A duhet të jemi egoistë si Akademiku Qosja, dhe të presim që të gjitha fitoret shqiptare t’i përjetojmë sa t’jemi gjallë. Për historinë dhe politikën 50 vjet nuk janë asgjë. Ndërsa, për ne të vdekshmit, më shumë se gjysmë jete.


Akademiku dhe shkrimtari Rexhep Qosja, flet një herë në vit, si ‘baba i kombit’. Dhe sa herë që flet është diku pas emisioneve të vitit të ri, që duket i përsëritshëm po aq sa ato, me deklaratat e tija “për ndarjen e Veriut dhe Bashkimin e Shqiptarëve”, apo edhe udhës për të sharë Ibrahim Rugovën, duke e cilësuar me epitete prej “tradhëtari” që nuk i takojnë një Akademiku. Përsëritshëm, dhe e tepruar.

Ky tip i Akademisë, e mori në qafë edhe Serbinë, edhe pse në të mirë të tjerëve – kur në baza etnike Akademia serbe filloi të shkruajë programe fashiste pro serbe, në dëm të gjithë jo serbëve të Jugosllavisë. Kjo politikë përfundoi me bombardimet e NATO’së mbi ta, shkëputje territori dhe menjëherë pas një viti, i përfundoi edhe karriera politike Akademikut Qosja. Besoj se i mbanë mend mirë te triat.

Kufijë të trashë, etno-centrizëm dhe ide për ndarje, nuk do të duhej të ishin mendime në kokën e një akademiku modern të këtij shekulli, sidomos jo në kokën e një akademiku kosovar.

Këto ide për ndarje, mund të vijnë vetëm nga koka e një plaku hijanet, grindavec, demagog e populist i cili i mëshon telit etno-nacionalist sa herë që ka nevojë për vëmendje publike. Sepse, çdo kërkim i vëmendjes së tepruar, bazën e ka në ego të stërtheksuar, të cilën Qosja mund ta ketë trashëguar prej malësorëve të mburrshëm.

Po të ishte Akademiku Qosja, njëmend etno-centrik dhe pro interesit ‘Nacional’ ashtu siç shprehet, çështjen e ndarjes dhe kufijëve do ta shikonte më ndryshe, e jo me shpirt në fyt dhe shpejt duke ofruar menjëherë zgjidhje dhe shtegdalje nacionale.

Endërra për ndarje dhe bashkim të shpejt po ashtu është një kërkesë ‘egoiste prej një plaku’, i cili dëshiron t’i shohë të gjitha proceset shqiptare të ndodhin përderisa ai është ende gjallë. Dhe ndoshta të vdes pa marakun se “baba i kombit” vdiq, pa i parë të bashkuar shqiptarët.

Koha, historia dhe politika

Nëse prej vitit 1974 Kosova u bë autonomi substanciale brenda Jugosllaviosë, me rreth 1.5 milionë banorë, dhe arriti që më 2008 të bëhet Republikë e Pavarur, me rreth 2 milionë banorë e 500 mijë në diasporë, për gjithë këtë kohë kaluan vetëm 34 vite.

Çka janë 34 vite për për historinë dhe politikën, apo për Interesin Nacional të një populli. Asgjë. Sa janë 100 vjet Shqipëri e Pavarur, komuniste dhe demokratike. Shumë pak. Dhe zhvillimet ishin të pakta.

Dhe natyrisht se ka mundur të bëhet më shumë në kuptimin edukimit, ekonomisë dhe infrastrukturës. Por ja që nuk ndodhi, sepse ishim më otoman se otomanët, më komunistë se komunistët, më paqësorë se paqësorët, dhe më komandanta se komandantët. Sa vite kaluan për shqiptarët prej Skenderbeut, 1443, e deri te Pavarësia e Shqipërisë më 1912. Shumë vite, apo 463 vjet.

Diçka që nuk mund të thuhet lehtë

Kosovës ju nevojitën 34 vite të arrijë të njihet si shtet. Eshte e vërtetë që 4 komuna në Veri, nuk i kontrrollojmë, dhe atje jetojnë rreth 60 mijë serbë. Dhe atje kanë jetuar qysh moti, rreth 1000 vjet histori. Shumë gjatë. Natyrisht se ata do të mund të jetojnë edhe 1000 të tjera atje, por që nuk po ua garanton biologjia. Nataliteti shumimi, si dhe koha dhe historia është duke shkuar në dëm të tyre.

Edhe sa serb do të jetojnë në Veri, pas 34 viteve?

A do të jenë 60 mijë?

Nuk dihet saktë natyrisht, por shumë më pak se tash. Koha dhe pritja nuk shkon në dëm të shqiptarëve të cilët ende kanë rritje të shumimit. Andaj edhe nëse nuk ngutemi për ndarje, situata pas disa viteve do ta gjej Kosovën në përbërje demografike krejtësisht tjetër në Veri.

Ndryshe, veriu, nëse nuk e dinë akademia, është koka e Kosovës, në kuptimin e resurseve dhe ujit. Andaj ideja për negociata për ndarje dhe ‘ndërrim’ me Luginë të Preshevës, është një ide koti, dhe dorëzim para një Serbie që i ngutet t’i mbyll kufijtë nga shqiptarët duke u ndarë. Sepse, akademia e tyre herët e dinte që shqiptarët çdo ditë e më shumë, po ua marrin dheun ndër këmbë, qysh edhe statistikisht pritet të ndodhë në Veri.

Pra, a duhet të jemi egoistë dhe të ngutshëm si Akademiku Qosja, dhe të presim që të gjitha fitoret shqiptare t’i përjetojmë sa t’jemi gjallë. Apo të presim edhe pak vite. Ndoshta edhe nuk do të jemi gjallë ne dhe Qosja, si shumë të tjerë në katër komunat në Veri, të cilët do të vdesin sy qelë nga pleqëria, që kurrë nuk u bashkuan me Serbinë.

A të presim?…

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë