Milan pësoi humbje befasuese të dielën në Serie A kundër Torinos me rezultat 2-1. Mirëpo, siç thotë trajneri i ‘Rossonerëve’, Stefano Pioli e kanë ‘harruar’ atë ndeshje dhe tani janë të fokusuar plotësisht për duelin ndaj Salzburg, transmeton Gazeta Metro.
Në një intervistë për medium italian, SportMediaset tekniku italian ka deklaruar se nuk ishin të kënaqur me paraqitjen kundër Torinos.
”Sigurisht që nuk jemi të kënaqur me paraqitjen kundër Granatas, por kemi një mundësi të madhe që e kemi kërkuar dhe e kemi dëshiruar. Menjëherë e lamë mënjanë atë takim për t’u fokusuar te Salzburg.”
”Ne po luajmë një kompeticion tjetër dhe të vazhdojmë të mendojmë për humbjen e së dielës nuk do të na kishte lejuar të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme për ndeshjen kundër austriakëve,” tha ai.
Sonte kampionët në fuqi të Italisë në ora 21:00 luajnë ‘fatin’ e tyre në Ligën e Kampionëve, ku me një humbje në ‘San Siro’ ndaj skuadrës austriake automatikisht përshëndeten nga gara më prestigjioze në Europë.
Milan gjendet në pozitën e dytë në renditjen tabelore me shtatë pikë, ndërsa Salzburg në vendin e tretë me një pikë më pak. Në kreun e tabelës në grupin E është Chelsea me dhjetë pikë dhe e fundit është Dinamo Zagreb me katër pikë. /gazetametro.net