Loading…

Ditën kur FFK transferoi 150 mijë euro te Gjilani, lojtarëve iu shlyen borxhet

  • 25/01/2023 | 18:44

Ditën kur FFK transferoi 150 mijë euro te Gjilani, lojtarëve iu shlyen borxhet

Sot Gazeta Metro raportoi që Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ia ka transferuar më datën 10 janar 2023 150 mijë euro klubit të Superligës, Gjilani. Tani, siç ka marrë vesh Gazeta Metro po në të njëjtën ditë edhe lojtarët e Gjilanit i kanë marrë pagat e tyre.


Burime të Gazeta Metro kanë konfirmuar se më datën 10 janar u janë shlyer borxhet futbollistëve të klubit gjilanas, të cilët siç dihet pas largimit të presidentit, Florim Zuka, nuk ishin paguar për disa muaj.

Siç thuhet transferimi i parave nga FFK te Gjilani është bërë në katër rata. Rata e parë (75 mijë euro), rata e dytë (40 mijë euro), rata e tretë (20 mijë euro) dhe rata e katërt (15 mijë euro).

Të gjitha pagesat janë kryer më datën 10 janar dhe alokimi i këtyre mjeteve nuk ka kurrfarë përshkrimi.

Por, burime të Gazeta Metro brenda FFK’së tregojnë se kjo duket të jetë mobilizim i kryetarit Agim Ademi, për blerje të përkrahjes si pasojë e kundërshtimeve që kanë rrjedhur me (mos) licencimin e FFK’së nga Ministria e Sportit dhe frika e Ademit për inicim të shkarkimit të tij.

Këto pohime të Gazeta Metro mund t’i vërtetoj edhe Prokuroria nëse fillojnë hetimet rreth kësaj çështje.

Në anën tjetër, përveç Draft Statutit që është konsideruar ‘skandaloz’ që FFK’ja pret të miratohet të premten, ngjarje që ka shkaktuar bujë të madhe kohëve të fundit ka qenë edhe (mos) licencimi i saj nga Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive.

Nga një moslicencim i mundshëm i FFK’së siç dihet më së shumti penalizohen klubet të cilat pastaj nuk mund të përfitojnë nga Ligji i Sponsorizimit.

Ndërkaq, sot u publikua një letër nga Gazeta Express ku thuhet se Komisioni edhe zyrtarisht përmes një shkrese dërguar në Komitetin Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës ka kërkuar nga kryetari, Agim Ademi që ta pezullojë veprimtarinë e tij në postin e presidentit të kësaj federate.

Komisioni kishte vlerësuar se lista e kushteve që nuk i ka plotësuar FFK’ja është shumë e gjatë, ku ndër të tjera mungojnë edhe dëshmitë gjyqësore që i kërkojnë ata.

Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme Gazeta Insajderi raportoi se një seri bonusesh të majme janë shpërndarë për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK’së.

Sipas asaj që është raportuar këto transaksione po i heton edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Në këtë denoncim, janë dhënë të gjitha detajet e transaksioneve në vlera dhjetëra-mijëra euro që janë shpërndarë tek anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, pagesa në emër të bonueseve që kalojnë në pagesat e rregullat që këta punonjës të FFK’së marrin./gazetametro.net

Komisioni i Ministrisë kërkon nga Agim Ademi ta pezullojë pozitën e tij, ose të pezullohet nga Komiteti Ekzekutiv i FFK’së

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë