Përbërja e radhës e Komisionit Evropian duhet të ketë prioritet politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka thënë Simeon Djankov, drejtor i Raportit të zhvillimit botëror (World Development Report 2019).
Në një intervistë për gazetën “Koha Ditore”, ish-zëvendëskryeministri, njëherësh ish-ministri i Financave të Bullgarisë (2009-2013), Djankov ka folur për hapat që duhet të ndërmarrë Komisioni i ri Evropian që pritet të dalë nga zgjedhjet që janë mbajtur të dielën, shkruan sot “Koha Ditore”.
Prioritet i dytë, sipas tij, duhet të jetë kohezioni social i vendeve të rajonit, saktësisht përkrahja e njerëzve për aftësim dhe integrim. Djankov, i cili është themelues i raportit Doing Busness, ka folur edhe për renditjen e Kosovës në këtë raport, por edhe për arsyet pse Kosova nuk po arrin të tërheqë investime të huaja.
Ka thënë se Kosova është një treg i vogël dhe se nuk ka infrastrukturë të mirë për të eksportuar por, sipas tij, Qeveria do të duhej që të fokusohej në tejkalimin e kufizimit të tregut të vogël duke zhvilluar shërbime elektronike, pra jo vetëm mallra, por edhe shërbime si ato të udhëtimit, shërbimet financiare, shërbimet e kontabilitetit, ku nevojiten njerëz të zgjuar, të cilët nëpërmjet kompjuterëve eksportojnë këto shërbime jashtë vendit.