Territori i Bosnje e Hercegovinës njeh mirë dramat dhe tragjeditë politike e njerëzore. Republika e Bosnje e Hercegovinës, shtetit që lindi nga “Marrëveshja e Dejtonit”, së fundmi është duke rrezikuar seriozisht një shërbërje eventuale apo ndonjë destabilitet të madh shoqëror e politik, shkruan Gazeta Metro.
Lideri problematik i Presidencës së Bosnjës dhe udhëheqësi i Aleancës së Social-Demokratëve të Pavarur, Millorad Dokik, ka bërë një sërë paralajmërimesh rreth synimeve të tij për shpërbërjen e plotë të Bosnje e Hercegovinës.
Përfaqësuesit e Republika Srpska, të udhëhequra nga Dodik, kanë filluar destabilitetin politik nga fundi i korrikut kur janë tërhequr nga institucionet qëndrore pasi përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar, Valentin Inzko, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit në Bosnje.
Tutje, Dodik, i mbështetur në mënyrë deklarative edhe nga zyrtarë të lartë të Serbisë ka thënë se në vijim përfaqësuesit e Republika Srpska do të tërhiqen nga ushtria e përbashkët, nga Gjykata dhe Prokuroria e Bosnjës, nga Autoriteti i Taksave Indirekte, si dhe nga Agjensia e Mbrojtjes dhe Inteligjencës.
Të martën, gazeta britanike Guardian ka cituar përfaqësuesin e lartë të komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, të ketë thënë se ky vend “është në rrezik të menjëhershëm për t’u shpërbërë” dhe se ekzistojnë gjasa “shumë reale” për rikthimin e tij në konflikt.
Në anën tjetër, Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka bërë një deklarim të kujdesshëm teksa ka thënë se udhëheqësit politikë të këtij vendi duhet të gjejnë zgjidhje.
“Duhet të angazhohemi në dialog politik, sepse kjo është e vetmja mënyrë konstruktive për të gjetur zgjidhje të krizës midis liderëve politikë. Veprimet e njëanshme dhe retorika e përçarjeve duhet të ndërpriten për të mirën e qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Bosnjës”, tha Stano.
Duke folur për mundësinë potenciale që BE të përfshihet në zgjidhjen e situatës apo edhe për ndonjë sanksion të mundshëm, Dodik, ka vazhduar me kërcënim direkt ndaj Bashkimit Europian.
“Nëse Bashkimi Evropian merr vendim për sanksione kundër Republikës Sërpska, ose për përjashtimin e saj nga programet që i ka këtu, le ta dijë se një gjë e tillë “do të ishte data e pavarësisë së Republikës Sërpska”, tha të enjten Millorad Dodik.
Lidhur me situatën dramatike në Bosnje duket se po përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I dërguari i presidentit amerikan për Ballkanin Perendimor, Gabriel Escobar, ka paralajmëruar vizitë këto ditë në Bosnje teksa paraprakisht veprimet e Milorad Dodikut i ka cilësuar si destabilizuese dhe të paligjëshme. /gazetametro.net