Loading…

Draskovic: Për Hitlerin tonë-Milosevicin, propaganda serbe punon vetëm për mohimin e krimeve dhe lartësimin e tij

  • 08/04/2021 | 20:05

Draskovic: Për Hitlerin tonë-Milosevicin, propaganda serbe punon vetëm për mohimin e krimeve dhe lartësimin e tij

Ish politikani serb Vuk Draskovic, aktiv në dekadën e fundit të shekullit të kaluar në skenën politike serbe, i përfshirë në ngjarjet kur u shkatërrua ish Jugosllavia nuk ka dyshime rreth fajësisë dhe përgjegjësit kryesor, si dëshmitar. Ai theksoi se ishte Slobodan Milosevic i cili ende po paraqitet si një lider normal në Serbi, duke i bërë dëm të madh popullit serb, transmeton Gazeta Metro.


Draskovic, një lider nacionalist serb që është i njohur edhe ky për kontroversat e tij, në të njëjtën kohë ishte edhe viktimë e regjimit fashist të Milosevic, i burgosur dhe i rrahur brutalisht, së bashku me gruan nga policia serbe.

Ai në emisionin ”Cirilica” të televizionit serb ”Tv Happy” ishte i ftuar gati në atë cilësi dhe të komentoj rreth opinionit për liderin serb që ende glorifikohet në Serbi edhe nga regjimi i tanishëm.

Me rastin e publikimit të serialit dramatik serb ‘‘Familja’’ e prodhuar nga televizioni publik serb RTS, që përshkruan ditët e fundit para arrestimit të Slobodan Milosevic, ku paraqitet familja e tij si një familje normale dhe e ndershme bëri që Draskovic të reagoj.

“Serbia nuk e di, sot e kësaj dite, nuk e di, se çfarë ka ndodhur nën Milosevicin në dekadën e fundit të shekullit 20. Populli nuk është në dijeni për vrasjen e Jugosllavisë, se kush ishte arkitekti dhe planifikuesi i asaj vrasje. Populli nuk është i njoftuar me krimet e tmerrshme të Slobodan Milosevic e të njerëzve të tij besnik. Populli nuk e di as për eksodin e disa qindra mijëra shqiptarëve nga Kosova, nuk dinë as për varrezat masive të shqiptarëve që janë bartur në Serbi, të hedhur në lumenj e liqene, nuk e dinë. As nuk e dinë që në një fshat afër Prijedor, janë therrur më shumë se 100 fëmijë. Nuk dinë as për vdekjen e më shumë se një mijë fëmijëve të vrarë nga granatat serbe në Sarajevë, e mijëra civilëve tjerë. Nuk dinë as për likuidimet e kryera me urdhër të Slobodan Milosevicit këtu në Serbi, e as për krimet e kryera nga skuadrat e tij të vdekjes.”

Vuk Draskovic renditi me emër dhe mbiemër, kryeredaktorin e vrarë opozitar të Dnevni Telegraf, e vetmja gazetë opozitare e mbetur në Serbi në atë kohë, Slavko Curuvija, të cilin e vranë në prag të derës së shtëpisë me urdhër të tij. Ai përmendi edhe gjykatësin e vrarë, Nebojsa Simeunovic, kufoma e të cilit ishte hedhur në Danub, duke theksuar terrorin e atij regjimi në të gjitha shtresat e shtetit serb.

“Populli ynë nuk di asgjë për këto pasi këtu po mundohen të mbulojnë gjithçka për krimet e tij me harresë e mohim.”

Draskovic përmendi rastin më të rëndë të eliminimeve të kryera me urdhër të Milosevic, vrasjen e një ish presidenti serb, Ivan Stambolic, dhe gënjeshtrat e paturpshme të kasapit të Ballkanit se ai me shumë gjasë kishte humbur diku me ndonjë dashnore.

Draskovic në dukje me keqardhje e theksoi se edhe vrasësit e Zoran Djindjic, ishin njerëzit që vrisnin për Milosevic dikur e që e arrestuan atë dhe e hipën në aeroplan për në Hagë pastaj me urdhër të kryeministrit Djindjic.

“Djindjic i mori si aleatë ata dhe bashkëpunëtor, dhe natyrisht pa dashje ia nënshkroi vetes dënimin me vdekje.”

Çfarë po na paraqitet para nesh është jo një njeri që për shkak të tij vdiqën mbi 150 mijë njerëz, edhe serbë mes tyre e që kurrë nuk u pendua, por  e shfaqin si një njeri të mrekullueshëm edhe të ndershëm, u ankua Draskovic.

“Ai aktori që luante Milosevicin në serial sikur të dilte në zgjedhje sot në Serbi me siguri do t’i fitonte.”

Draskovic ashpër e përmbylli kritikën e tij ndaj gjendjes në Serbi rreth kësaj qasje mohuese të regjimit të sotëm serb “që prej rënies së tij këto 20 vite nuk është bërë gjë tjetër nga propaganda përveç mohimit të krimeve të tij dhe lartësimit të figurës së tij”./gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë