Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, për media tha se largimi nga detyra i serbëve që punonin në këtë institucion, nuk iu kanë shkaktuar probleme, dhe se zëvendësimin e kanë bërë menjëherë, shkruan Gazeta Metro.
Sipas tij, institucioni të cilin ai e udhëheq është i vetmi institucion që ka zëvendësuar stafin e dorëhequr nga veriu i vendit, dhe se kanë pasur staf të mjaftueshëm për zëvendësim.
“Edhe ashtu kemi pasë mbulueshmëri të mirë me stafin gjithëpërfshirës duke mos u kufizuar vetëm në stafin e minoritet serb”, tha ai.
Nga ky institucion kanë dhënë dorëheqje 11 doganierë, dhe sipas Llugaliut kjo nuk u ka shkaktuar shumë probleme.
Drejtori në fjalë tha se këto dorëheqje në këtë institucion kanë ardhë si rezultat i veprimeve politike, dhe nga frika e linçimit, punëtorët e doganës janë detyruar të japin dorëheqje.
“11 zyrtarë kanë paraqitur dorëheqjet, serbë që jetojnë dhe punojnë në veri. Normalisht sikur që e kemi vërejtur edhe tek rastet tjera ka qenë ndikimi politik që janë larguar për shkak të pasigurisë dhe linçimeve janë detyruar që të dorëhiqen. Nuk kemi pasë vështirësi në kuptim të mbulimit”, u shpreh ai./gazetametro.net