Zyrtarë të Vetëvendosje thanë sot se sekretari organizativ, Dardan Molliqaj, është kërcënuar nga Xhavit Qalaj, i cili është vëllai i drejtorit të Departamentit të Operacioneve të Policisë, Rashit Qalaj.
Për këtë kërcënim ndaj zyrtarit të Vetëvendosjes treguan sot në një konferencë për shtyp deputetët e LVV-së, Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu.
Drejtori i Departamentit të Operacioneve të Policisë, Rashit Qalaj, është kontaktuar nga Kallxo.com, por i njëjti ka thënë se nuk është në dijeni për kërcënimin e pretenduar.
“Vëllai im jeton në Gjermani. Nuk e di se a është kërcënuar z. Molliqaj nga vëllai im (edhe pse e kam lexuar në portale dy javë më parë për një komunikim me ‘Facebook’)”, ka thënë Qalaj.
Njoftimin për kërcënimin e pretenduar ndaj Dardan Molliqajt zyrtarët e Vetëvendosjes e bënë në një konferencë për media, gjatë të cilës ata folën për Marrëveshjen e Demarkacionit, të cilën nesër Qeveria e Kosovës ia procedon Kuvendit për ratifikim.