Drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi, ka thënë se për herë të parë i ka shikuar mbrëmë sekuencat e ndeshjes mes Dritës dhe Royal Antwerp, transmeton Gazeta Metro.
Drita u eliminua nga Conference League në raundin e dytë kualifikues nga Royal Antwerp, e cila triumfoi me rezultat të përgjithshëm 0-2.
Rreth kësaj përballje në një emision sportiv ka folur drejtori sportiv i klubit, Valon Zymberi, i cili tha që skuadra belge nuk tregoi asnjë nuancë më shumë se ‘Intelektualët’.
”Të them të drejtën është hera e parë që pi shoh sekuencat e ndeshjes nuk kam dashur as t’i shohë sepse kur e kemi menduar mënyrën se si ka shkuar ndeshja të bën të mërzitesh. Për faktin sepse të përballesh me një Royal Antwerp dhe mos të tregojë asnjë nuancë më shumë sesa klubi ynë, Drita, të bën të zhgënjehesh kur ta mendon se si je eliminuar,” tha ai mbrëmë për ATV.
Finalistët e Kupës së Kosovës zhvilluan dy ndeshje me paraqitje të shkëlqyer kundër Royal Antwerp, e cila në radhët e saj ka lojtarë si Toby Alderweireld, Radja Nainggolan e të tjerë.
Ballafaqimi i parë në Belgjikë kishte përfunduar me rezultat të barabartë 0-0, ndërsa në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë gjilanasit pësuan humbje 0-2. /gazetametro.net