Loading…

Drenasi, ‘Jerusalemi’ i Kadri Veselit

  • 02/12/2016 | 22:54

Drenasi, ‘Jerusalemi’ i Kadri Veselit

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas që mbahen të dielën janë testi i parë i Kadri Veselit si drejtues i PDK-së.

Drenasi, një ndër bastionet më të fuqishme të PDK-së, është sfida e parë për Kadri Veselin qëkur mori drejtimin e partisë më të madhe të vendit në maj të këtij viti.

10 ditë para nisjes zyrtare të fushatës për kryetar të Komunës së Drenasit, i pari i PDK-së, bashkë me ministra e deputetë nisi takimet me qytetarë të kësaj komune,duke shoqëruar kudo kandidatin e kësaj partie Raniz Ladrovcin.

Veseli gjatë këtyre vizitave fshat më fshat dha mes tjerash edhe premtime për investime milionëshe në Drenas.

Herë në oda, e herë në sallone shtëpish, qytetarët e komunës ku do të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme u vizituan edhe pothuajse nga gjithë ministrat dhe shumë deputetë të PDK-së, kryesisht të kësaj ane.

Imer Mushkolaj për Gazetën Jeta në Kosovë shpjegon pse është kaq i rëndësishëm Drenasi për Veselin.

“Për shkak se është testi i parë i tij pasi e ka marrë drejtimin e PDK-së, ai [Kadri Veseli] do të bëjë çmos që t’i fitojë zgjedhjet, ngase e ka shumë të rëndësishme të dëshmohet,” thotë Mushkolaj.

Edhe pse po votohet për të parin e kësaj komune në zgjedhje të jashtëzakonshme, këtë e sheh më shumë garë mes partish, sesa garë mes kandidatësh, Albert Krasniqi i KDI-së.

“.. Për këtë arsye angazhimi i PDK-së është që t’a ruajë votën ekzistuese, por edhe ta rrisë atë në Drenas. Lidershipit të ri i duhet rikonfirmimi i mbështetjes,” shpjegon Krasniqi.

Rëndësinë e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Drenas e ka shprehur hapur edhe vetë Veseli me vizitat gati të përditshme në këtë komunë e me postimet në faqen e tij në Facebook.

“Ramiz Lladrovci është zgjedhja më e mirë e mundshme, për vizionin tonë për Drenasin me perspektivë, për Drenasin e zhvilluar ekonomikisht, për Drenasin e unitetit të Drenicës dhe PDK-së,” kishte shkruar Veseli në Facebook më 16 nëntor.

Garën për Drenasin e nisën tetë kandidatë por dy prej tyre u tërhoqën “gjatë rrugës”, edhe pse Komisioni Qendror Zgjedhor nuk i largoi nga lista.

Tërherqjen nga gara të Naim Bazajt dhe Rrahim Elshanit që kandiduan si të pavarur edhe pse u takonin strukturave të PDK-së, e bëri të ditur Veseli më 17 e 18 nëntor.

Imer Mushkolaj dyshon se ata e bënë tërheqjen në mënyrë vullnetare.

“Kandidimi i pavarur tregon shumë për pakënaqësinë e përçarjen në degën e PDK-së në Drenas. Ndërsa tërheqja e tyre nga gara është e pabesueshme të jetë bërë vullnetarisht,” thotë Mushkolaj.

Përveç Lladrovcit, aktivë në garën për të parin e Drenasit vazhdojnë të mbeten Isa Xhemajlaj i Nismës, Elmi Thaçi i AKR-së, Bedri Nikaj i AAK-së, Vehbi Berisha i “Fjalës” dhe Xhavit Drenori si kandidat i pavarur./kallx0.com

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë