Asamblesiti i Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, Xhavit Drenori, ka vendosur të hyjë i pavarur në garën për kryetar të komunës së Drenasit. Ai në emisionin “Kontakt” me Valdrin Krasniqin në Tribuna Channel ka thënë se nuk ka gjetur pika të përbashkëta me PDK-në, prandaj ka vendosur të hyjë i pavarur në garë.
“Nuk është kultivuar një debat i pastër brenda degës së PDK-së në Drenas dhe mungesa e këtij debati mund të ketë quar deri të shpërthim të PDK-së në këtë komunë”, ka deklaruar Drenori.
Ai thotë se Drenasi më nuk është bastion i PDK-së. “Derisa disa persona brenda PDK-së vazhdojnë të punojnë për interesa të tyre e në të keqen e qytetarëve të komunës së Drenasit, atëherë gjerat mund të ndryshojnë”, ka thënë ai.
Ndonëse vjen nga PDK, ai thotë se nëse e merr besimin e qytetarëve të Drenasit asnjë drejtor në Komunë nuk do të vazhdoj të qëndrojë aty, pasi shumë prej tyre kanë edhe afera korruptive.
Drenori ka shpalosur edhe planin e punës në rast që ai behët kryetar komune si dhe ka komentuar punën e ish kryetarit Nexhat Demaku dhe kandidaturat e partive për kryetar të Drenasit.