Golden Eagle Ylli dhe Trepça do të luajnë nesër ndeshjen e parë finale të Superligës së Kosovës në basketboll. Në një prononcim për Gazeta Metro basketbollisti i Trepçës, Drilon Hajrizi ka folur rreth kësaj përballje e cila pritet të jetë shumë interesante, transmeton Gazeta Metro.
Finalja e madhe e Superligës së Kosovës në basketboll mes Yllit dhe Trepçës do të zhvillohet nesër në palestrën ’13 qershori’ në Suharekë me fillim nga ora 17:30.
Për Metron një ndër basketbollistët më të mirë në historinë e Kosovës, Drilon Hajrizi ka thënë se si Ylli ashtu edhe Trepça kishin qenë dy skuadrat më të mira këtë sezon dhe nuk do të jetë befasi se cila do ta fitoj titullin në fund.
”Gjatë gjithë kampionatit punohet për këto lojë që të jemi sa më të komponuar dhe është normale se të dyja ekipet ta japin maksimumin, tani dihet më qe Ylli dhe Trepça janë dy ekipet më të mira këtë sezon dhe cilado që e rrëmben këtë titull nuk është befasi sepse shanset besoj janë 50-50,” tha Hajrizi.
I pyetur se cilat mendon që do të jenë përparësitë e mitrovicasve përball Yllit në këtë duel, ai u përgjigj në mënyrë diplomatike, duke thënë: ”Secila skuadër i ka përparësitë dhe mangësitë kështu që ne i dimë dhe shpresoj që ti zbatojmë në parket.”
Në fund Hajrizi ka edhe një mesazh të shkurtë por shumë të qartë për tifozët mitrovicas, të cilët e kanë mbështetur maksimalisht ekipin e tyre këtë sezon.
”Ju premtoj angazhim maksimal për çdo top,” përfundoi ai për Metron.
Kujtojmë se Ylli në finale ka arritur pasi që kishte mposhtur në gjysmëfinale Prishtinën në tre ndeshje, ndërsa Trepça kishte triumfuar ndaj Pejës në tre duele dhe një e kishte humbur. /gazetametro.net