Në këtë fundjavë do të zhvillohet xhiro e katërt e Superligës së Kosovës në basketboll. Në këtë javë ishte paraparë të luhej derbi mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës, por sipas Federatës së Basketbollit kjo përballje është shtyrë për më vonë, transmeton Gazeta Metro.
Sigal Prishtina dhe Trepça në ndeshjet e tyre parakualifikuese për FIBA Europe Cup në mesjavë pësuan disfatë nga Kalev/Cramo, respektivisht Gottingen.
Ndeshja e parë e kësaj xhiro në elitën e basketbollit kosovar do të zhvillohet mes Bashkimit dhe Rahovecit. Të dy skuadrat kanë bilanc të njëjtë këtë sezon nga një fitore e dy humbje. Ky takim do të luhet të shtunën në ora 17:00.
Të dielën me fillim nga ora 17:00 përballen Vëllaznimi dhe Peja. Kuqezinjtë në ndeshjen e parë si vendas do të mundohen të realizojnë fitoren e dytë, përball pejanëve që kanë arritur tri fitore në po aq sfida.
Ndërkaq, java e katërt përmbyllet me duelin mjaftë interesant mes Golden Eagle Yllit dhe Ponte Prizrenit. Kampioni në fuqi nuk dinë për fitore në tri ndeshjet e para, derisa prizrenasit numërojnë një fitore e dy humbje. Kjo përballje zhvillohet të dielën në ora 19:00. /gazetametro.net