Nga 15 qershori, sipas qeverisë së Kosovës dhe ministrisë së Shëndetësisë ka filluar zbatimi i Planit për Vaksinim Masiv, por kjo po ndodh në një mënyre shumë të çuditshme, shkruan Gazeta Metro.
Derisa vaksinimi masiv në vendet e tjera përfshinë numër shumë të lartë të dozave të vaksinës brenda ditës, në Kosovë ajo që quhet vaksinim masiv po funksionon me më pak se 1,000 doza në ditë.
Së paku kështu thuhet në raportin 24 orësh të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Sipas këtij raporti, brenda 24 orëve të fundit janë vaksinuar vetëm 965 qytetarë, ndërsa deri më sot totali i personave të vaksinuar është 133,869, prej tyre 17,811 me dozën e dytë.
Shkak i numrit të vogël të vaksinimeve ditore anti-Covid mund të jetë edhe numri i vogël i vaksinave që Kosova i ka aktualisht, pasi edhe pse është thënë nga institucionet se marrëveshja me Pfizer dhe BioNtech është nënshkruar, ende asnjë vaksinë nuk ka arritur në Kosovë.
Në anën tjetër, numri i rasteve të reja në Kosovë vazhdon të jetë tejet i ulët. Prej 2,112 testimeve për 24 orë, vetëm 8 raste janë regjistruar si pozitive, ndërsa 9 pacientë janë shëruar.
Gjithashtu në këtë periudhë kohore është shënuar edhe një viktimë me Covid-19, ndërsa numri i rastve aktive mbetet 174. /gazetametro.net