Me vetëm dy ditë deri në afatin për zgjedhjen ose rizgjedhjen e presidentit të Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet deri diku e rezervuar duke i shmangur përgjigjiet direkte lidhur me qëndrimin për një mandat të dytë të presidentes Vjosa Osmani, shkruan Gazeta Metro.
Para selisë së LDK-së, e para se të fillonte mbledhja e Grupit Parlamentar, deputeti Anton Quni tha se qëndrimin e tij personal do ta shprehë brenda partisë: “Aty merret vendimi. Unë do pajtohem me vendimin. Tani do i marrim informatat nga kryetari Abdixhiku”. Kur u pyet nëse do të mbështeste një marrëveshje LVV-LDK, ai shtoi: “Do e diskutojmë. Do bëjmë debat dhe do marim një vendim”.
Edhe deputeti Armend Zemaj tregoi se fillimisht voton për njerëzit e LDK-së, dhe më pas do të shqyrtojë opsionet e tjera: “Unë kam votë njëherë për njerëzit e LDK-së, e pastaj e shohim..”.
Po ashtu edhe deputeti Ukë Rugova u shpreh shkurt për Vjosën: “Do ta shohim”.
Derisa deputeti Kujtim Shala njoftoi se Grupi Parlamentar i partisë do të diskutojë për çështjen e Presidentit.
“Jo – nuk kemi diskutuar për emra të veçantë. Për zgjidhjen në parim do të bisedojmë sot. Pas takimit do të merrni një deklaratë. Kemi takim të Grupit Parlamentar”, deklaroi Shala.
Ndërkohë kryeministri Albin Kurti pas takimit të tretë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë ditës së sotme deklaroi se biseda ishte konstruktive, por ende nuk ka zgjidhje.
“Takimi shkoi në mënyrë konstruktive, kur të ka diçka të re iu njoftojmë. Ende nuk e kemi zgjidhjen, por do të iu njoftojmë nëse kjo bëhet së shpejti”, deklaroi Kurti.
Në dy ditët e mbetura deri në afatin për zgjedhjen e presidentit, partitë politike nuk kanë propozuar ende asnjë kandidat, ndërsa marrëveshje nuk është arritur. Murat Jashari, për të cilin u përfol se mund të siguronte mbështetjen e të gjitha partive, kishte bërë të ditur se familja e tij nuk ka ambicie për pozitën.
Presidentja aktuale Vjosa Osmani është e gatshme për një mandat të dytë, por Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka propozuar zyrtarisht. Edhe ish-ministri Arsim Bajrami ka shprehur gatishmëri për postin. Presidenti i ri duhet të zgjidhet deri më 5 mars, por duket se vendi po shkon drejt zgjedhjeve, pasi edhe pas shumë takimeve të kryera nga Kurti me udhëheqësit e partive opozitare, nuk është arritur të identifikohet një kandidat konsensual./gazetametro.net