Janë bërë tashmë gati dy muaj që prej përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit, koalicion s’ka e as Qeveri. Formimin e këtyre po e vonojnë dy partitë fituese VV e LDK, të cilat siç duket po e kanë problem ndarjen e posteve, shkruan Gazeta Metro.
Sot është zhvilluar edhe një takim mes dy partive, por ky përfundoi pa arritje të marrëveshjes apo nënshkrim koalicioni, për formim të Qeverisë.
Siç mëson Gazeta Metro, dy partitë nuk po mund të pajtohen për ndarjen e posteve dhe ministrive.
Ndonëse janë pajtuar që LDK të marrë pozitën e Presidentit dhe Kryeparlamentarit, VV me çdo kusht i do 7 ministri.
Një kërkesë të tillë të VV’së, po e kundërshton Isa Mustafa, gjë për të cilën partitë deri tani nuk kanë nëshkruar marrëveshje, e nuk dihet se kur do të ndodhë kjo.
Kujtojmë se pas përfundimit të takimit, që të dy liderët e partive kanë dalur me deklarata, ku kanë konfirmuar se nuk po merren vesh për çdo gjë, teksa Mustafa e theksoi se VV dhe LDK dallojnë.
“Ne patëm një bisedë mjaft përmbajtjesorë sepse pa biseda të tilla është e vështirë që të arrihet një bashkëpunim I ardhshëm I qëndrueshëm katër vjeçar natyrisht se ne kemi pasur pajtueshmëri sa i përket programit qeverisës, kemi edhe çështje të tjera që i kemi diskutuar sot për të cilat do të punojmë për të arritur përafrim, sot nuk ka marrëveshje për koalicion ka marrëveshje që të punojmë e të hulumtojmë rrugë që të përafrohemi qëndrimet tona. Dallimet tona do të jua tregojmë kur të jua përafrojmë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Kurti ka thënë se do të vazhdojë të mbetet në kontakt me të parin e LDK’së, Isa Mustafën, dhe se do të njoftojnë për takimin e radhës.
Kujtojmë se dy partitë në fjalë dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit, ndërsa ato kanë afat të formojnë Qeveri deri në një muaj pas certifikimit të zgjedhjeve./gazetametro.net