Kriza e fundit politike në vend i ka dy shkaqe/alibi dhe është shkaktuar nga dy parti. Dhe i ka dy zgjidhje. Zgjidhjet janë të lehta. Mjafton të ketë vullnet politik secila nga dy partitë politike. Nëse duan të vazhdojnë të qeverisin dhe mos ta lënë popullin pa qeveri në kohë pandemie, secila parti duhet të tërhiqet nga njëra prej dy alibive të krizës – njëra të lëshojë pe tek çështja e shkarkimit të ministrit Agim Veliu dhe tjetra të lëshojë pe në lidhje me heqjen e plotë të tarifës dhe reciprocitetit. Ato le ta vendosin se cila lëshon pe në cilën çështje.
Shkruan: Fitim Salihu
Nga njëra anë, Lëvizja Vetëvendosje ka dy mundësi për ta dëshmuar që ka vullnet t’i jap fund krizës politike dhe ka gatishmëri të vazhdojë të qeveris me vendin. Së pari, edhe në qe se pajtohemi që qëndrojnë arsyet e shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme – paçka që ka shumë dilema rreth qëndrueshmërisë së tyre dhe standardit të përdorur – kryeministri Kurti duhet ta rishqyrtojë vendimin e tij në lidhje me shkarkimin e Veliut. Së dyti, kryeministri Kurti ka mundësi ta rishqyrtojë jo vetëm tërheqjen e tërësishme të tarifës ndaj produkteve me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, por njashtu ta shqyrtojë mosvendosjen e masave të reciprocitetit kundrejt Serbisë. Siç është diskutuar tanimë shumëherë, fatkeqësisht, gjithë këto masa ekonomike po fillojnë si masa ndaj Serbisë dhe po përfundojnë duke na futur në konflikt politik me Shtetet e Bashkuara, për ç’gjë Kosova nuk e ka luksin. Prandaj, vendosja e tyre duhet të rishqyrtohet seriozisht.
Në anën tjetër, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës i ka dy mundësi për të dalë nga ngërçi politik dhe për të dëshmuar se nuk po e synon prishjen e qeverisë në vetvete. Së pari, mund të tërhiqet nga kërkesa për kthimin në detyrë të ministrit Agim Veliu dhe kësodore ta dëshmojë se interesi qytetar qëndron mbi interesin partiak ose individual. Së dyti, Lidhja Demokratike ka mundësi që ta rinegociojë një moratorium me aleatët amerikanë që tema e tarifës dhe reciprocitetit të ridiskutohet në një moment të dytë, pasi që të ketë kaluar situatat e jashtëzakonshme me pandeminë Kovid-19. Edhe po qe se nuk pranojnë që të shtyhet largimi i taksës dhe/ose reciprocitetit, së paku mund të kërkohet që tani të mos rrëzohet qeveria për këtë shkak.
Pra, është krejtësisht në duar të këtyre dy partive ta vazhdojnë ose ta ndalojnë krizën politike në këtë situatë të jashtëzakonshme. Nuk kanë përse i akuzojnë partitë opozitare. Është vetëm në duar të tyre. Opozita, sikurse secila parti politike, ekziston për të ardhur në pushtet. Njëlloj, mazhoranca synon që të rrijë sa më gjatë në pushtet. Opozita mund ta synojë ardhjen në pushtet, por varet prej mazhorancës nëse e lejon këtë. Kështu ka qenë kudo dhe kurdo.
(Autori është politolog dhe merret me studimin e Politikave Krahasuese dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Ky artikull është shkruar enkas për Gazetën Metro)