Loading…

Dy vite pas vdekjes së vajzës: Çun Lajçi i dedikon një shkrim emocionues

  • 09/10/2019 | 15:34

Dy vite pas vdekjes së vajzës: Çun Lajçi i dedikon një shkrim emocionues

Dy vite më parë, aktori i njohur shqiptar, Çun Lajçi, humbi vajzën e tij të vetme, Bubulinën.


Humbja e saj e pikëlloi pafund aktorin, i cili nuk ka reshtur së shkruari për të, duke e ndarë me ndjekësit e tij në rrjete sociale dhimbjen e mungesës së të bijës.

Dy vite pas humbjes së Bubulinës, Lajçi ka shkuar për herë të parë në premierën e një filmi, atë të regjisorit Eduart Grishaj.

Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka ndarë një shkrim ku i drejtohet së bijës me fjalët që na e pikëlluan zemrën.

‘Po Miraloshe, e pashë nji premierë mbas tri vitesh zie

Që kur vdiqe ti Mirake, vdiqën edhe kënaqësitë e premierave t’filmave t’mi.
U paluen dy e tani po palohet edhe viti i tretë që zvarritem rrugëve me dhimbje eshtnash, pa ma bajtë zemra me shkua me i pa rolet e mia n’filmat që i xhirova n’ato dy vitet kur ti po baheshe gati për udhëtimin e fundit.
Por s’mujta me ia prishë ngazëllimin e gëzimin nji regjisori t’ri, malësor i Malësisë Madhe, njisoj si unë i këtej bjeshkëve t’Nemuna, Eduart Grishës, që ishte rritë me portretin tim e fjalën e Fishtës dalë nga goja ime.
S’baj film pa malësorin Çun, kishte thanë dhe m’kërkoi me shumë kulturë mos me ia refuzua thirrjen. Shkova bashkë me Galën, por jo si dikur me ty Mirake!
Dhe bamë fotografi përpara nji panoje t’madhe ku shkruente “Gjyshja” ku ishin edhe tre emna aktorësh dhe i regjisorit Eduart.
E urova Emën e Ritën, koleget e mia që shkëlqenin n’filmin e parë t’Grishës.
Urova regjisorin e ma uroi edhe ai mua Sokolin.
Mbas premierës së filmit ishim edhe ma t’lumtun, se puna fliste vetë. Kishte ba diçka t’thjeshtë, diçka t’bukur, diçka që s’kërkonte shpjegime e analiza. Nji thjeshtësi arti që kishe dëshirë me pa!
Ishte kthye bukur n’kohën e errët enveriste e bukur i kishte portretizua malësorët e Bogëve ( jo t’Rugovës jo, por t’Malësisë Madhe)
Ishte mrekulli të takoje njerëz që pa s’i kisha me vite. Aktorë filmi e teatri e regjisorë që rrallë flasin me gjuhën e filmit!
Ishin gati të gjithë yjet e kangës e t’ekranit shqiptar.
Por… e kisha pas harrua nji mik t’ri, nji kolegun tim me t’cilin isha mishnua shumë te “Koha e Kometës”, atë çunin e ri Bes Kallakun, që lamë gjurmë t’bardha n’filmin e Koçit.
U përqafuam, u përqeshëm, u shamë, u ngucëm njisoj si para 10 vitesh teksa po xhironim bjeshkëve t’Mavrovës.
Kjo asht grueja ime, m’tha, për Xhensilën, bukuroshen, yllin e ri t’kangës. Kjo asht fansja jote ma e madhja n’shqiptari, m’tha. Kuptohet, falë meje që e kam torturua çdo ditë tue folë për ty, dhe qeshëm!
Nji darkë që s’harrohet ishte ajo natë në restorantin e Bes Kallakut me Galën time e Xhensilën e tij.
Të nesërmen erdhi Edi Grishaj me m’pa a kisha djeh mirë n’hotelin Hilton, dhe shkuem n’studio t’Top-Channelit t’flasim për premierën e filmin “Gjyshja”.
Kur e pyeti gazetarja, pse Çuni n’filmin tand (që lente me kuptua se Tirana ka plot aktorë, Çuna), Edi u përgjigj: Sepse s’ka ma t’besueshëm e ma fisnik për ekranin se Çuni dhe deri sa t’jem gjallë ai do t’jetë n’filmat e mi!
Unë qesha e thashë: Ishalla s’jetoj gjatë pra, se paske me sharrua me filma!
Po Miraloshe, e pashë nji premierë mbas tri vitesh zie!”- ka shkruar aktori.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë