Dyshimet për hetimin e rastit të vdekjes së Astrit Deharit po rriten edhe më shumë tek Lëvizja Vetëvendosje. Deputetja e kësaj lëvizje Albulena Haxhiu dhe avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, kanë thënë sot se kanë dyshime edhe tek prokurori i rastit Mitush Biraj.
Për këtë të fundit deputetja Haxhiu tha se është jokredibil dhe se i njëjti është krahu i djathtë i kryeprokurorit Sylë Hoxhaj.
“Kemi kërkuar që vdekja e Astritit të hetohet nga njerëz me kredibilitet por është refuzuar duke na lënë në dyshime që qka ndodhet pas saj. Mitush Biraj, prokurori i cili po merret me hetimet e vdekjes së Deharit nuk ka kredibilitet moral e as profesional”, tha Haxhiu në një konferencë për media.
Dyshimet forcohen edhe më tepër tek avokati Tomë Gashi, i cili tregon se nuk ka marrë dokumentet e obduksionit kur ato i ka kërkuar nga institucionet përkatëse.
“Kur është kërkuar të na jepen dokumentet e obduksionit, Biraj na ka thënë se nuk mund t’ua jap për arsye objektive. Lidhur me këto dokumente kemi kontaktuar edhe kryeprokurorin Hoxhaj, por ende nuk kemi marrë përgjigje”, ka thënë Gashi./gazetametro.net