Mesfushori Valon Berisha thotë se vendosi ta lërë Norvegjinë për Kosovën shkaku që ndihet i dashur nga njerëzit, derisa shtoi se është krenar për arritjet e sulmuesit Erling Haaland.
Në një intervistë të gjatë për “Sport.Optus”, Berisha nuk hezitoi ta komentojë zgjedhjen e Kosovës, gjë që e sheh si hap shumë i mirë në karrierë.
“Ishte hap i madh, jo vetëm për mua por edhe për familjen time. Ishte vështirë. Gjithnjë jam falënderues për Norvegjinë, është shteti ku u rrita dhe më ndihmoi, por kam një lidhje me Kosovën”.
“Kur jam aty më njohin. Njerëzit e duan futbollin dhe më pëlqen të jem atje. Për Kosovën që të ketë kombëtare është e rëndësishme. Është një shtet në zhvillim që po përmirësohet dhe njerëzit po marrin disa puna të mira”.
“Doja të ndihmoja shtetin për të bërë diçka të veçantë”.
Tutje, Berisha nuk hezitoi ta komentojë formën e lartë të ish bashkëlojtarit Erling Haaland, i cili e ka bërë krenar kosovarin.
“Haaland është person qesharak. Ai është ndryshe, e dini? Por është person qesharak që e do jetën. Si unë, e do futbollin dhe jetë që po e jeton”.
“Ai është person që nëse nuk është i lumtur me shumë gjasë do të pensionohej. Njëjtë jam edhe unë, për sa kohë ta dua futbollin si tani dhe jam duke e shijuar. Sapo të mos e kem këtë uri, këtë dashuri, nuk do ta bëj vetëm sepse po fitoj shumë para ose diçka tjetër. Është dashuria për lojë”.
“Ai nuk më befasoi (me suksesin te Man City), sepse e pashë çfarë bënte çdo ditë, sa profesional është, si ha, fle, kujdeset për trupin”.
“Ai e do lojën. Ai gjithashtu e di si të përmirësohet, kjo është gjë e mirë. Besimi është shumë i vështirë për t’u thyer. Ai është në maje tani dhe ka parë se çfarë mund të bëjë, andaj do të bëjë edhe më shumë”.
“Sigurisht do të jetë e vështirë sepse ka hyrë dhe thyer çdo rekord. Tani njerëzit do të presin të bëjë gjëra të çmendura, por do të ketë rënie dhe ngritje. Por, çfarë ka bërë sidomos në sezonin e parë duke e vrarë Premierligën, ligën më të vështirë për të luajtur… është e mrekullueshme”.
“Është e bukur për ta shikuar dhe jam shumë krenar. Shpresoj që ta fitojë Ligën e Kampionëve sepse është gjëja që nuk e kanë arritur si klub dhe shpresoj që ai të mbërrijë në maje”.