Loading…

E grabiti dhe e kërcënoi me vdekje: Prokuroria kërkon paraburgim ndaj një të dyshuari në Gjakovë

  • 05/08/2026 | 11:26

E grabiti dhe e kërcënoi me vdekje: Prokuroria kërkon paraburgim ndaj një të dyshuari në Gjakovë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit me inicialet S.M., i cili po hetohet për veprën penale të grabitjes, transmeton Gazeta Metro.


Sipas Prokurorisë, ndaj të dyshuarit është nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve, ndërsa njëkohësisht është kërkuar edhe masa e paraburgimit. Bazuar në dyshimet fillestare, rasti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 2 gushtit, rreth orës 01:30, në hyrje të një ndërtese afër një dyqani në Gjakovë.

Hetimet tregojnë se S.M., nën kërcënimin e një thike, i ka kërkuar viktimës me inicialet A.M. t’ia dorëzonte paratë që kishte me vete. Fillimisht, viktima i ka dhënë 20 euro, por i dyshuari ka vazhduar me presionin, duke kërkuar edhe pjesën tjetër të parave. Nga frika, viktima ia ka dorëzuar edhe 30 euro të tjera.

Sipas njoftimit, pasi viktima ka tentuar të largohej, i dyshuari e ka kapur për qafe për ta penguar. Megjithatë, viktima ka arritur të shkëputet dhe të largohet me vrap, ndërsa S.M. e ka ndjekur. Në atë moment ka ndërhyrë një dëshmitare, e cila ka ndaluar të dyshuarin. Para se të largohej nga vendi i ngjarjes, Prokuroria thotë se S.M. e ka kërcënuar sërish viktimën me fjalët: “Ti ke me e pagu shtrejt këtë, ja ti, ja unë, gjallë nuk ki me kon”.

Rasti më pas është denoncuar në Polici. Sipas Prokurorisë, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe kishte qëndruar në arrati deri në momentin e arrestimit.

“Me këto veprime i pandehuri S.M. ka kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së. I pandehuri, me vendim të Prokurorit të Shtetit, që nga data 3 gusht 2026 ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh për veprën penale të lartcekura”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë