Para se të vinte në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, gjegjësisht kur ishte themeluar kishte dalë kundër simboleve të Kosovës dhe kërkonte bashkim kombëtar me Shqipërinë. Por, gjërat ndryshuan kur më 14 shkurt 2021 Vetëvendosje mori pushtetin, thënë shkurtimisht ”kjo u harrua”. Megjithatë, dy ditë para 110 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë një gazetar spanjoll dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ja kujtuan zotimin e dikurshëm, transmeton Gazeta Metro.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke qëndruar në Spanjë në Kongresin e 26’të të Internacionales Socialiste, derisa gjatë pjesëmarrjes së tij ka folur edhe për gazetën spanjolle ‘El periodico’.
“A ju kujtohet Albin Kurti i ri, ai i cili avokonte për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, ka pyetur gazetari spanjoll.
Mirëpo, shefi i qeverisë iu shmang pyetjes duke thënë se Kosova dhe Shqipëria nuk janë dy kombe të ndryshme, por dy shtete të ndryshme.
Përveç kësaj Albin Kurti tha se ashtu sikurse Shqipëria që është anëtarësuar në NATO edhe Kosova dëshiron të anëtarësohet meqë kombi shqiptar armik të përbashkët ka Serbinë që ka lidhje të forta me Rusinë.
“Për më shumë se një shekull ne kemi një problem me Serbinë, dhe e kemi në tërësi si komb shqiptar. Kosova dhe Shqipëria s’janë dy kombet të ndryshme por dy shtete të ndryshme, me të njëjtën gjuhë dhe të njëjtën kulturë e origjinë… dhe Shqipëria është në NATO, ne duam të bashkohemi gjithashtu: Ne jemi në rrezik konstant për shkak të lidhjeve të forta të Serbisë me Rusinë”, ka thënë Kurti.
Ai tha se nesër në mbledhjen e përbashkët të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës të votohet për bashkimin e të dyja vendeve në Konfederatën e Shtetit Shqiptar.
Sipas Haxhiut si të zgjedhur të popullit për deputetët e të dyja vendeve ka ardhur koha që të marrin vendime të rëndësishme për kombin tonë për të ruajtur identitetin shqiptar.
Tutje, ligjvënësi kërkoi nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikollai dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca që kjo të hidhet nesër në votim.
”Kjo është rruga e drejt, ky është amaneti i dëshmorëve të kombit shqiptar ndër shekuj me radhë që kanë rënë në altarin e lirisë, me idealin e bashkimit kombëtar,” ka shkruar ai.
Në anën tjetër, gjatë vitit 2020 në një intervistë për mediat e Shqipërisë kur Albin Kurti kishte ardhur në pushtet (Qeveria Kurti 1) rreth bashkimit kombëtar kishte deklaruar se tani është proces i gjatë dhe do të ishte i mundur në fillimet e viteve të 90’ta kur ishte shpërbë Jugosllavia.
“Ky bashkim të cilin e kemi dëshiruar ka qenë i mundur të bëhej përnjëherë i shqiptarëve atëherë kur u shkatërrua Jugosllavia në 1991-92, po të ishte një konstalacion tjetër në mënyrë metaforike i tri personaliteteve, Sali Berisha, Ibrahim Rugova dhe Ramiz Alia. Nëse do të mund të bëhej bashkimi i shqiptarëve shansi historik ka qenë 1991, 1991, 1992. Shkatërrimi i Jugosllavisë u bë me luftë. Po të ishin Shqipëria dhe Kosova bashkë, në koordinim me mërgatën dhe Bosnjës dhe Kroacinë, ai ka qenë shansi historik i një shteti shqiptar. Sot e kemi shtetin e Kosovës. Duhet të bëjmë hapa të integrimit drejt bashkimit. Kemi përfitues të kësaj gjendje në të dyja anët e kufirit, njerëz që i duan trojet shqiptare si principata të tyre”, kishte deklaruar Kurti.
Por, në vitin 2021 në përvjetorin e 16 të themelimit të partisë së tij, ishte shprehur se bashkimi kombëtar mbetet pjesë e programit të tyre.
Gjatë një konference për media që ishte mbajtur në vendin ku edhe u themelua fillimisht Lëvizja Vetëvendosje, ai kishte thënë se “Edhe në programin e LVV’së bashkimi kombëtar, që është më shumë se bashkim me Shqipërinë, shihet si intencë historike që nuk e përzgjedhim ne por ajo neve”.
Në fund, ajo çka është me rëndësi për t’u theksuar është se në nenin 1 paragrafi 3 të Kushtetutës së Kosovës, aktit më të lartë juridik dhe politik thuhet: ”Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.” /gazetametro.net