Kombëtarja e Kosovës sot publikoi listën e të ftuarve për ndeshjet e para të kualifikimeve për Kampionatin Europian 2024. Në mesin e 26 futbollistëve të grumbulluar nuk figuroi askund emri i Ermal Krasniqit, futbollistit që po shkëlqen me CFR Cluj në Superligën e Rumanisë, transmeton Gazeta Metro.
Përzgjedhësit të ‘Dardanëve’, Alain Giresse dhe stafit të tij siç duket nuk i ka bërë aspak përshtypje fakti që Krasniqi në nëntë paraqitje në elitën e futbollit rumun ka shënuar katër gola dhe ka dhënë një asistim.
Vetëm në një ndeshje nuk ka qenë titullar dhe po në atë ballafaqim ka realizuar gol. Goli kishte qenë thjesht mahnitës, vrapim nga gjysma e fushës dhe një goditje e fortë dhe precize nga distanca.
Se sa po vlerësohet futbollisti kosovar në Rumani mund ta shohim edhe nga paraqitjet e Dan Petrescu në konferenca për shtyp.
Në secilin rast që pyetet nga gazetarët rreth Ermal Krasniqit gjen fjalët më të mira për ta përshkruar. Petrescu ka eksperiencë të madhe edhe si futbollist, por edhe si trajner.
Nëse nuk kanë mjaftuar detajet e lartcekura për ta bindur Giresse dhe stafin e tij për ta ftuar ish-lojtarin e Ballkanit, kujtojmë edhe atë çfarë kishte thënë Maurizio Sarri për 24-vjeçarin.
“Cluji ka në radhët e veta dy apo tre lojtarë të nivelit të lartë, përfshirë edhe Krasniqin. Ai është një lojtar shumë i fortë që luan në krahun e majtë dhe i cili është gati për ndeshje dhe kundërshtar të mëdhenj”, kishte thënë trajneri i Lazios.
Po ndaj kësaj skuadre në Conference League, Krasniqi bëri dy paraqitje tejet fantastike. Në rregull, në ndeshjen e kthimit kishte humbur një mundësi ideale në pjesën e parë.
Megjithatë, kjo nuk ia ndërroi mendjen aspak teknikut italian që sipas mediumeve rumune thuhet se tani e kërkon gjatë verës ta ketë në organikën e tij.
Përveç Lazios, është raportuar edhe për skuadra tjera italiane si Torino, Sassuolo, Udinese, Genoa dhe Fiorentina që janë të interesuara për Krasniqin.
Ermal Krasniqi e dëshiroi shumë ftesën e Kosovës, gjë që e tha edhe vetë para pak ditësh në një intervistë dhe me formën që po kalon me shumë mundësi e ka merituar se disa futbollistë të tjerë në fazën e sulmit. /gazetametro.net
E mrekullueshme: Ermal Krasniqit i rritet vlera si asnjëherë më parë në tregun e transferimeve