Me 23 tetor mbahen zgjedhje lokale në Mal të Zi për 13 komuna, mes tyre edhe kryeqytetin e Podgoricës. Presidenti i Malit të Zi, Milo Djukanovic, në mbyllje të fushatës elektorale u tall me këtë pasi siç tha, për partinë por-serbe Fronti Demokratik ka respekt se janë hapur nacionalistë serbë për dallim prej këtyre të URA’s që janë vetëm tyxharë, transmeton Gazeta Metro.
Në Mal të Zi dihet qartë se kush është ku i rreshtuar pas dy vite kaosi qeveritar, kush ka interesin e Malit të Zi e kush ka prioritete tjera. Maskat kanë rënë e po shihen edhe fanellat e klubeve të cilat i përkasin.
Porosia e Milo Djukanovic në tubimin përmbyllës elektoral të mërkurën para zgjedhjeve ishte e qartë dhe therëse për kryeministrin malazias me mandat teknik, Dritan Abazovic, me të cilin ka shumë kundërthënie.
Djukanovic kujtoi në fjalim atë të kaluar që ka mbajtur në Budva me 30 gusht të 2020’s, kur kishte thënë se çdo votë për nismën qytetare URA në të vërtetë është votë që do të përfundojë në kazanin e nacionalizmit serbomadh. Keq e talli organizimin politik të Abazovic presidenti malazias, i cilësoi si vegël që po keqpërdoret nga partia pro-serbe Fronti Demokratik, e këta e dinë dhe pranojnë.
“Kjo edhe ndodhi. Ja tash dy vite më vonë, mos t’ia lejojmë vetes këtë gabim trashanik. Kemi informacione se sot aktivistët e konkurrentëve tonë politik po pështillen nëpër Budva dhe i shpjegojnë mbështetësve të tyre potencial se ja: ‘Nëse s’i votoni këta të Frontit Demokratik, atëherë votoni për URA, njejtë është’. E saktë është kjo, njejtë i bie. Më besoni se për mua nuk janë të njejtë. Edhe sikur të ndodhte diçka e të më ikte mendja e do të më duhej të zgjidhja mes tyre, më me qejf do të përcaktohesha për FD se URA’n. Pasi, ta dini, duhet të respektohen qëndrimet e sinqerta, këta njerëz janë nacionalistë serbë të sinqertë, e kundërshtojnë sinqerisht idenë e Malit të Zi, e këta të tjerët janë tyxharë” porositi Djukanovic.
Që kryeministri teknik malazias Abazovic ka kundërshti me idenë e Malit të Zi siç e sheh presidenti malazias Djukanovic dihet. Por ka shumë edhe opozitar të tjerë malazias që nuk pajtohen me Djukanovic e ishin partner të Abazovic që thonë se ka shumë afërsi të Abazovic me Serbinë, dhe se qëndrimet e kryeministrit malazias po përputhen me ato të Rusisë, dhe shtojnë se kjo tashmë nuk mund të jetë rastësi.
Në një tubim elektoral të URA’s të mërkurën në Podgoricë, një aktivist i tyre Sead Seja Mandic, mbajti një fjalim hata patetik, por ishte i qartë se çfarë besonte ai se ku i ka prioritetet kryetari i URA’së, Dritan Abazovic.
“Njeriu që pritet me kënaqësi në Beograd…” çirrej Mandic./gazetametro.net