Loading…

E zyrtarizon Abdixhiku: Ai i propozuar për kryeministër, Vjosa Osmani për presidente

  • 09/05/2026 | 12:52

E zyrtarizon Abdixhiku: Ai i propozuar për kryeministër, Vjosa Osmani për presidente

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, kreu i kësaj partie e konfirmoi edhe zyrtarisht propozimin e tij si kandidat për kryeministër, ndërsa të Vjosa Osmanit për presidente të vendit, shkruan Gazeta Metro. 


Ai bëri të ditur se këtë propozim e ka bërë gjatë të martës kur u mbajt mbledhja e kryesisë së LDK-së, ndërsa pohoi se është mbështetur nga e gjithë kryesia.

“Në këtë propozim timin, kam propozuar garim të përbashkët për President të Republikës dhe për Kryeministër të Republikës”, ka njoftuar Abdixhiku gjatë fjalimit të tij në Këshillin e Përgjithshëm të partisë. Kam propozuar që Lidhja Demokratike e Kosovës të garojë me Presidenten Vjosa Osmani si kandidate për Presidente të Republikës dhe njëkohësisht bartëse të listës sonë zgjedhore; dhe me mua, Kryetar të LDK-së, kandidat nga LDK për Kryeministër të Republikës”, tha ai.

Abdixhiku, ka thënë se bashkimi i LDK-së që po ndërtohet nuk është vetëm përgjigje ndaj një partie politike, por nevojë për ta nxjerrë vendin nga kriza e vazhdueshme politike.

“Prandaj, ky bashkim nuk është vetëm përgjigje ndaj një pale politike. Ky bashkim është antidot ndaj gjendjes në të cilën ka rrëshqitur Kosova. Kosova sot ka nevojë ta rikthejë fuqinë e saj në politikën e jashtme. Ka nevojë ta rikthejë besimin me aleatët strategjikë. Ka nevojë për një gjuhë serioze shtetërore, për një përfaqësim dinjitoz dhe për një orientim të qartë euroatlantik. Kosova nuk mund të mbetet vend i krizës së përhershme politike. Nuk mund të mbetet vend i konflikteve të pafundme me secilin. Nuk mund të mbetet vend që harxhon gjithë energjinë e vet në beteja të brendshme ndërsa bota ecën përpara”, tha Abdixhiku.

Tutje ai vlerësoi se LDK është angazhuar për stabilitet institucional dhe politik në vend, duke marrë pjesë në diskutimet rreth çështjes së presidentit.

“Merreni me mend, Kosova sot ka kryetar të Kuvendit që ushtron detyrën e ushtruesit të presidentit të Republikës. Shmangia e kësaj gjendjeje ka qenë motivi im dhe i LDK-së për të marrë pjesë në ciklin e gjatë të diskutimeve rreth presidentit, një cikël që dështoi pak javë më parë. LDK dhe unë jemi angazhuar për stabilitetin e vendit. Në një kohë tensionesh politike, ne zgjodhëm të sillemi si forcë shtetformuese, sepse na takon. LDK komunikoi me të gjithë, ofroi alternativa dhe ishte e gatshme për zgjidhje. Problemi ishte se përballë kishim një mendësi që kërkonte gjithçka, jo zgjidhje, kërkonte Qeverinë, Kuvendin dhe Presidentin. Kërkonte sistemin parti-shtet”, tha Abdixhiku.

Refuzimi i Albin Kurtit për të nominuar për presidente Vjosa Osmanin dhe mosarritja e zgjedhjes së presidentit të vendit ka bërë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat do të mbahen më 7 qershor. Pas shpalljes së zgjedhjeve të reja u aktivizua edhe vetë Osmani, e cila tashmë veçse është duke u bërë gati për zgjedhjet e reja. Ajo madje ka marrë nga lista Guxo ish-deputetë që besojnë në Osmanin.

Fillimisht Osmani njoftoi për arritjen e marrëveshjes me Haxhi Avdylin, Jeta Statovcin e së fundmi edhe Albena Reshitajn, ku nuk dihet nëse do të jenë këto figurat e fundit që do të largohen nga kjo parti që thuajse është shkrirë në Lëvizjen Vetëvendosje. Pos këtyre, në listën e Osmanit është përfshirë edhe Fahrie Hoti dhe profesori Bardhyl Hasanpapaj./gazetametro.net

 

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë