Edhe Britania e Madhe nisi të tërheqë stafin nga ambasada britanike në Ukrainë pas paralajmërimeve për një pushtim rus.
Zyrtarët bënë të ditur se nuk ka pasur kërcënime specifike nga diplomatë britanikë, megjithatë gjysma e stafit që punon në Kiev do të kthehet në Britani.
Një veprim i tillë ndërmerret pasi SHBA urdhëroi të afërmit e stafit të ambasadës së saj të largoheshin nga Ukraina, duke thënë se një pushtim rus mund të vijë “në çdo kohë”.
Nga ana tjetër Rusia ka mohuar të ketë plan për një veprim ushtarak në Ukrainë, shkruan BBC, raporton Ora News.
Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëroi gjithashtu njerëzit që të mos udhëtojnë në Ukrainë dhe Rusi për shkak të tensionit të vazhdueshëm dhe “potencialit për sulm ndaj qytetarëve amerikanë”.
“Ka raportime se Rusia po planifikon një veprim të rëndësishëm ushtarak kundër Ukrainës” tha një këshilltar i Departamentit të Shtetit.
Megjithatë, një lëvizje e tillë është një masë paraprake dhe asgjë specifike mendohet të ketë ndodhur në 24 orët e fundit që të ketë çuar në marrjen e këtij vendimi.
Stafit jo thelbësor të ambasadës amerikane u është thënë gjithashtu se mund të largohen dhe qytetarëve amerikanë u është kërkuar të bëjnë të njëjtën gjë.
SHBA-ja ka theksuar se nuk është një evakuim, por Departamenti i Shtetit i tha agjencisë së lajmeve AFP se nëse do të kishte një pushtim rus, “nuk do të jetë në gjendje të evakuojë qytetarët amerikanë”, raporton Ora News.
Nga ana tjetër Bashkimi Evropian nuk do të bëjë të njëjtën gjë për momentin. Shefi i Politikës së Sigurisë së BE-së Josep Borrell tha se ai nuk do të “dramatizojë” tensionet.
Kreu i aleancës së mbrojtjes ushtarake të NATO-s ka paralajmëruar se ekziston rreziku i një konflikti të ri në Evropë pasi rreth 100,000 trupa ruse janë grumbulluar në kufi.