Presidentit të Maqedonisë Gorge Ivanov i kanë mbetur edhe gjashtë ditë për ndarjen e mandatit kandidatit të partisë apo të partive të cilët kanë shumicën në Parlament, për formimin e qeverisë së koalicionit pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 11 dhjetor.
Nga këto gjashtë ditë për negociata, janw tri ditë pune, ndërsa tri tjera janë festa, përfshirë edhe ato ortodokse, që do të thotë se partitë kanë vetëm tri ditë efektive që të mirren vesh se cilat parti do të formojnë koalicionin e ri qeveritar, shkruan gazetametro.net.
Duke marrë parasysh se Krishtlindja është festë e madhe fetare pak është e besueshme se gjatë këtyre dy ditëve të punës Kuvendi do të zgjedh kyetarin dhe se Ivanov do të jep mandatin për kyeministër të shtunën apo të dielën.
Edhepse asnjë parti nuk dëshiron të flasë zyrtarisht, për koalicionin e së paku 61 deputetëve ka shumë kombinime, prandaj është ende e paqartë se kush do të formojë qeverinë e re.
Mbledhja konstituive e Kuvendit është mbajtur më 30 dhjetor vitin e kaluar, dhe prej asaj dite fillon të rrjedhë periudha prej 10 ditëve të parapara me Kushtetutë të Maqedonisë brenda të cilës kryetari i shtetit duhet të jep mandatin për krijim e qeverisë.
Në mbledhjen e parë të Kuvendit, si pikë e tretë e rendit të ditës ishte zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit, por pasiqë partitë politike ende nuk ishin marrë vesh se kush do të formojë koalicionin qeveritar, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, për çka nevojitej 61 vota, u lë pas festave të fundvitit.
Afati i fundit për Ivanovin që të emërojë mandatarin për formimin e qeverisë së re është e hënë, 9 janari.
Paqartësitë në pubik po rriten. Kush do të arrijë të formojë qeverinë e re? A ka marrëveshje të pregaditur të shumicës qeveritare dhe a pritet në fshehtësi për të publikuar në momentin e fundit? Në çfarë kulle të letrave i ngjanë periudha e “vdekur” në të cilën kalkulatorët llogarisin skenarë të ndryshëm për shumicën e qeverisë, në pritje që presidenti Gorge Ivanov më 9 janar të jep mandatin për përbërjen e kabinetit të ri. VMRO-DPMNE pret nga shefi i shtetit që në afatin ligjor t’i besojë asaj mandatin për formimin e qeverisë, pasiqë kjo parti ka fituar shumicën e vendeve në parlament- 51, thekson Deusche Welle.
Kjo parti pret që pikërisht ata do të fitojnë mandatin nga Ivanov, e pastaj do të fillojnë negociatat për formimin e qeverisë. “Ne i kemi fituar zgjedhjet dhe formimi i qeverisë është në duart e Nikola Grujevskit”, thonë në VMRO-DPMNE.
Në ndërkohë, në LSDM thonë se fjala e Nikola Grujevskit në politik nuk vlen asgjë. “Sa më shpejt që brenda VMRO-DPMNE’së zhduket Grujevski nga skena politike, aq më mirë është për këtë parti dhe për Maqedoninë si shtet”, thotë zëdhënësi i LSDM’së, Petre Silegov.
Aleanca e shqiptarëve thotë se nuk do të punojnë me persona të dyshuar, dhe nga “Besa” përjashtohet hyrja në qeveri me VMRO-DPMNE-së. Çelësi qëndron në BDI’në deri tani të heshtur, i cili thotë se parimet themelore që do të diskutohen me palët për qeverinë e ardhshme janë ato për të cilat që është rënë dakord midis partive të shqiptarëve në takimin në Tiranë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Në atë takim, nuk ishte e pranishme vetëm PDSH. Siç ka thënë Ahmeti, pikat e përbashkëta në platformë nuk janë vijat e kuqe, as nuk ka kushte, por nevojë të vërtetë për Maqedoninë: barazinë gjuhësore, reformat gjyqësore dhe reformat tjera të rëndësishme për shqiptarët në Maqedoni, anëtarësimi në BE dhe NATO dhe vazhdimi i mandatit të Prokurorit Special Publik. /gazetametro.net