Loading…

Egoja e Grupeve Politike!

  • Nga

  • SHPËTIM BERISHA

  • 11/09/2019 | 12:50

Egoja e Grupeve Politike!

Shikuar nga perspektiva bashkëkohore te shoqëritë përparimtare – egoja konsiderohet fenomen primitiv, pasiqë në çdo fushë, krijon destrukturizim dhe defunksionalizim shoqëror, duke krijuar disavantazh dhe retropozicionim në progres shoqëror.

Shkruan – Shpëtim Berisha

Apriori, mendoj që Kosovës i mungon vetëdija për strukturim shoqëror, si pasojë e egos së potencuar, ku në parim egoja individuale padyshim krijon egon shoqërore dhe kjo e fundit krijon deformimin shoqëror. Kjo dukuri nuk lë hapësirë për strukturim shoqëror dhe tërë këtë unë e quaj vetëdije dekompozuese kolektive, turbulencë të vetëdijes nacionale.

Çdo shoqërie i nevojitet t’a ketë një strukturë kompaktibile dhe të qëndrueshme, vizionare dhe produktive, e cila me profesionalizëm, ndërgjegje nacionale e vetëdije kolektive e funksionalizon shtetin si dhe kujdeset që ajo të ketë proces evolutiv të shëndoshë dhe jetëgjatësi kontinuale në kuptim të zhvillimit të shtetit.

Fatkeqësisht, kjo i mungon shoqërisë tonë për arsye të shumta, duke u nisur nga komponentet socio-ekonomike dhe historike (duke i marrë parasyshë rrethanat historike të kombit tonë), ku si pasojë e këtyre komponentëve kemi rezultate të cilat po ndikojnë fuqishëm në defunksionalizim të shtetit, duke krijuar një klimë të ftohtë jetësore pa perspektivë me orientim dekadent!

Ky fenomen destruktiv nuk duhet të i adresohet ndonjë strukture partiake në veçanti, por politikës së gjithëmbarshme nacionale e cila është e orientuar gabimisht dhe e udhëhequr nga mentaliteti aktual! Kosova ka probleme serioze dhe kjo është duke u vërejtur bindshëm në të gjitha instancat, ku faji qëndron te mentaliteti i popullit i reflektuar në politikën aktuale kosovare. Nëse me këtë logjikë vazhdohet, atëherë shumë shpejtë populli kosovar do të ketë ngecje edhe më të medha si në kulturë, ekonomi e më gjërë!

Mentaliteti i popullit kosovar, i cili është krijuar gjatë stuhive të ndryshme në hapësirë dhe kohë, ka krijuar aktualisht përplasje konceptuale të ndryshme ideologjike të sistemeve me kulturë edukative të ndryshme, marrë parasyshë brezat e viteve të para luftës së fundit në Kosovë, si dhe brezat e pasluftës, kështu duke krijuar segregrim në strukturim shoqëror.

Nisur nga kjo premisë, mendoj që kombi shqiptar në tërësi e ka këtë problem në nivel alarmues, ku me të vërtetë krijon turbulencë në vetëdije nacionale, duke e shkëputur përçueshmërinë e energjisë për konstruktim kolektiv në kontekst shoqëror e cila është shumë e nevojshme për zhvillimin shtetëror.

Politika nga greqishtja do të thotë ‘për qytetin dhe shtetin’, parimisht çdo shoqëri e cila thirret shoqëri përparimtare, me parametra bashkëkohore, duhet t’a ketë arkitekturën funksionuese të sistemit politik, me të cilën planifikon, organizon dhe menaxhon politikat zhvilluese të shoqërisë brenda konturave shtetërore.

Organizimi dhe menaxhimi shoqëror, janë dy shtylla kurciale për funksionalitet të mirëfilltë shtetëror, e cila manifestohet në shumë fusha si: ekonomi, kulturë, edukim, shkencë, art, etj., duke iu mundësuar shoqërisë së atij shteti një jetë normale dhe bashkëkohore, ndërsa e kundërta i ofron shoqërisë të
vetmen mënyrë të ekzistencës, e ajo është mbijetesa.

Kur një shoqëri bien në situata të mbijetesës, mundësitë janë shumë të mëdha për t’u zhvilluar krimi, korrupsioni, prostitucioni, depresioni kolektiv etj., të cilat e qojnë shoqërinë deri tek degradimi total. Pra, për t’u përmisuar kjo, nevojitet vetëdija kolektive dhe ndjenja nacionale, e mbështjellur me vullnet individual e cila pastaj duhet të reflektohet dhe manifestohet në strukturim kolektiv , ku padyshim suksesi është i sigurtë dhe i pashmangshëm.

Prandaj, pa strukturë të mirëfilltë politike, me shoqëri të shëndoshë e cila ka parime produktive, e me interes nacional, nuk mund të kemi edhe strategji për zhvillim.

Sistemi politik i cili synon t’a udhëheqë shtetin, duhet të ketë të gjitha strukturat dhe nivelet profesionale që i ka një shoqëri e shëndoshë me parime progresive, ku me përpikmëri të përsosur kalkulon, planifikon, organizon, menaxhon, zhvillon, siguron shoqërinë në të gjitha poret e saj, si dhe punon për t’a ruajtur me fanatizëm tërë atë arkitekturë sistemuese të strukturuar po nga ajo shoqëri.

Shikuar nga rrethanat aktuale, mendoj që Kosova është larg këtij modeli shoqëror, pasiqë një pjesë e madhe e grupacioneve shoqërore shqiptare gjenden në një situatë të një konfuziteti të funksionimit grupor duke mos patur strategji për strukturim të gjithëmbarshëm shoqëror. Për ta nuk ekziston ndjenja kolektive, si dhe dominon fuqishëm egoja, ku nëpërmjet klanizimeve, manovrojnë duke e degraduar çfarëdo dinjiteti shoqëror si dhe çfarëdo ideje për bashkëveprim e zhvillim shoqëror, e cila ka për të ndikuar në strukturim nacional.

Për fat të keq, une mendoj që kjo situatë i konvenon shumë shoqërive të tjera jo shqiptare, qofshin ato politike, ideologjike apo fetare, të cilat kanë qëllime subversive në shtetin tonë.

Me ketë vizion të paqartë dhe me këtë vetëdije nacionale, ne gjithmonë do të jemi të dobët në shumë aspekte: si në ekonomi, kulturë dhe edukim dhe mendoj që duke mos i pasur këto, ne nuk mund të jemi faktorë në rajon e as më gjerë, përveç që do të jemi si një pozitë gjeografike e një pjese të botës dhe shumë e përshtatshme për të na sunduar në çfarëdo aspekti!

(Autori është arkitekt në Prishtinë. Ky artikull është i shkruar enkas për Metro)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë