Gjatë mandatit të Guner Ureas në Bangladesh janë proceduar qindra aplikime për viza pune në Kosovë. Dyshimet lidhen me dokumentacionin dhe mënyrën e procedimit të aplikimeve, shkruan Gazeta Metro.
Në Kosovë është rritur ndjeshëm prania e shtetasve nga vendet e treta, veçanërisht e punëtorëve nga Bangladeshi, të cilët në vitet e fundit janë punësuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Krahas nevojës së bizneseve për fuqi punëtore, kjo situatë ka ngritur edhe pikëpyetje për mënyrën se si janë zhvilluar procedurat e pajisjes me viza dhe leje pune.
Në këtë kuadër, burimet e gazetës Metro brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme bëjnë me dije se Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës kanë nisur të merren me një rast që lidhet me procesimin e vizave gjatë kohës kur Guner Urea ishte përfaqësues i Kosovës në Bangladesh.
Sipas këtyre burimeve, hetimi lidhet me dyshime për parregullsi në procesimin e aplikimeve për viza, ndërsa në fokus është edhe numri i madh i aplikimeve të trajtuara gjatë asaj periudhe.
Burimet e Metros në MPJ, pretendojnë se bëhet fjalë për qindra aplikime, ndërsa numri, sipas të dhënave që po verifikohen, mund të ketë arritur deri në rreth 1,500 raste.
Dyshimet lidhen, ndër të tjera, me atë nëse të gjitha aplikimet kanë qenë të kompletuara me dokumentacionin e kërkuar dhe nëse procedurat janë ndjekur në përputhje me rregullat për pajisjen me viza.
Nëse këto dyshime konfirmohen nga hetimet, rasti do të mund të marrë përmasa më të mëdha sesa një parregullsi administrative, pasi do të ngriheshin pikëpyetje edhe për mënyrën e funksionimit të një zinxhiri të tërë të aplikimit, procedimit dhe pajisjes me viza.
Fluksi i shtetasve nga Bangladeshi drejt Kosovës nuk është fenomen i ri.
Në janar të vitit 2024, atëkohë ambasadori i Kosovës në Bangladesh, Guner Urea, kishte deklaruar publikisht se deri atëherë ishin lëshuar rreth 700 viza pune, ndërsa numri pritej të rritej në rreth 1,900.
Kjo shifër ishte bërë publike në kohën kur Kosova po përballej me kërkesa në rritje nga bizneset për punëtorë të huaj, veçanërisht në sektorin e ndërtimit.
Tash sipas burimeve të Metros, kur hetimet po zhvillohet nga Krimet Ekonomike, pyetjet që kërkojnë përgjigje janë më konkrete:
Sa aplikime janë proceduar gjithsej?
Sa prej tyre janë miratuar?
A kanë qenë të gjitha aplikimet të kompletuara me dokumentacionin e nevojshëm?
Kush i ka ndërmjetësuar aplikimet dhe kush i ka proceduar ato?
Dhe, mbi të gjitha, a ka pasur përfitime të kundërligjshme në këtë proces?
Guner Urea, i cili e ka përfunduar mandatin si përfaqësues i Kosovës në Bangladesh, tash shërben në institucionet e Kosovës.
Pikërisht për shkak të pozitës që kishte në atë periudhë dhe rolit që lidhej me përfaqësimin diplomatik të Kosovës në Bangladesh, burimet e Metros thonë se hetuesit po verifikojnë rrethanat dhe mënyrën se si janë trajtuar aplikimet për viza gjatë asaj kohe.
Përgjigjet tashmë i kërkon edhe Krimi Ekonomik, dhe meqë Urea udhëhiqte dhe ishte në dijeni, a do të ngritët aktakuze ndaj tij.
Guner Urea ishte ambasadori i parë në Bangladesh. Në gusht të vitit 2019, ai u emërua si Ambasadori i parë i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Bangladesh, post të cilin e ushtroi deri në dhjetor të vitit 2023. Gjatë kësaj kohe, ai mbuloi si ambasador jorezident edhe marrëdhëniet me Nepalin. /gazetametro.net