Loading…

Ekspertët gjermanë do të ‘zbarkojnë’ sërish në Kosovë, KEK’u do t’i paguajë mijëra euro për rekomandime për A5’shin

  • 24/11/2022 | 10:34

Ekspertët gjermanë do të ‘zbarkojnë’ sërish në Kosovë, KEK’u do t’i paguajë mijëra euro për rekomandime për A5’shin

Kosova sërish ka angazhuar ekspertë gjermanë për të zgjidhur problemet në KEK, saktësisht ato me bllokun A-5 të Termocentralit Kosova A. KEK ia ka dhënë kontratën kompanisë gjermane “DSD Power Technologies GmbH”.


Angazhimi i këtyre ekspertëve do t’i kushtojë Shtetit gati 53 mijë euro. Ekspertë nga Gjermania kishin ardhur edhe në fund të vitit të kaluar, raporton Express.

Ekspertët gjermanë do të “zbarkojnë” sërish në Kosovë. Këtë herë për bllokun A-5 të Termocentralit Kosova A, i cili është jashtë funksionit që disa muaj.

Në mungesë të ekspertëve vendorë, KEK’u ka angazhuar ekspertët gjermanë për dhënie të rekomandime për aftësimin e këtij blloku.

“Angazhimi i eksperteve për dhënien e rekomandimeve për aftësimin e bllokut A5”, është titulli i kontratës që i është dhënë kompanisë gjermane “DSD Power Technologies GmbH”, përmes procedurës së negociuar.

Sipas dosjes së tenderit të publikuar në e-Prokurim, ekspertët gjermanë do të paguhen gati 53 mijë euro për dhënien e këtyre rekomandimeve, çmim ky që është llogaritur pa TVSH (Tatimin mbi Vlerën e Shtuar).

Kontrata është dhënë dje, derisa nënshkrimi i saj pritet të bëhet nesër. Te kohëzgjatja e kontratës s’është dhënë asnjë periudhë kohore.

Problemet e KEK’ut me Bllokun A5

Mediat kanë raportuar dje se është anuluar një Lot i tenderit që kishte dhënë KEK’u për riparimin e kësaj njësie.

Tenderi për riparimin bllokut A-5, në vlerë mbi 5 milionë euro, i është dhënë më 11 nëntor kompanisë “Monting Energetike DOO”, përmes procedurës së negociuar dhe ka qenë i ndarë në dy pjesë. Në LOT 1 parashihej të bëhej riparimi kapital i turbinës dhe gjeneratorit, ndërsa në LOT 2 riparimi kapital i kaldajës. Ky i dyti është anuluar para tri ditësh.

Në njoftimin për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit, thuhet se ky Lot është anuluar meqë kompania s’ka arritur t’i sigurojë materialet.

“Autoriteti Kontraktues, anulon LOT 2 pas përfundimit të negociatave, për arsye se OE i propozuar për kontratë ka njoftuar Autoritetin Kontraktues se për shkak të pamundësisë së sigurimit të materialeve nga prodhuesit (ndryshimet globale në treg) nuk është në gjendje ta realizojë këtë kontratë brenda afatit të përcaktuar në dosje te tenderit”, thuhet në njoftim.

Për riparimin e kësaj njësie, s’ishte gjetur kompani “e përgjegjshme” për mbi tre muaj.

Problemet e KEK’ut me këtë njësi i kishte zbuluar fillimisht zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

“Ka 2-3 muaj që po kemi telash me e gjet një kompani të përgjegjshme, e cila e rehabiliton A5shin. Nuk ka. Tash kanë ardh disa oferta, jemi në process të trajtimit. Shumica e tyre të papërgjegjshme, jo serioze, sepse thjeshtë ka pak gatishmëri të kompanive me renome të vazhdojnë të merren me renovim të kapaciteteve të vjetra me qymyr. Nuk po aplikojnë, sepse kanë marrë udhëzime me shku me u marr me energji të ripërtëritshme, kapacitetet e tyre me u marr me energji të ripërtëritshme. Nuk është tu punu fare A5’shi, aty është problemi. Pa u kry renovimi…”, kishte deklaruar Bislimi.

Procedurat e prokurorimit për remontin e kësaj njësie kishin filluar në fund të gushtit. Në njoftimin e atëhershëm të KEK’ut, thuhej se shumë shpejt do të përzgjidhet kompania.

“Për njësinë A-5 aktualisht janë duke u zhvilluar procedurat e prokurimit për remontin kapital dhe shumë shpejt pritet te perzgjidhet Operatori Ekonomik i përgjegjshëm për këtë aktivitet”, thuhej në njoftim.

Njoftim tjetër për këtë bllok, s’ka pasur më.

Gjermanët kishin ardhur edhe në fund të vitit të kaluar në KEK

S’është hera e parë që Kosova angazhon ekspertë të huaj, në mungesë të atyre vendorë.

Një ekip i ekspertëve nga Gjermania kishte qëndruar në Kosovë edhe në fund të vitit të kaluar.

Ata kishin ardhur për të bërë inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara nga avaria në turbinën e shtypjes së ultë në bllokun B-2. Për angazhimin e tyre ishin ndarë rreth 250 mijë euro.

Në njoftimin për nënshkrim të kontratës së publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurorimit Publik, thuhet se arsyeja e angazhimit të këtyre ekspertëve është sepse KEK’u s’ka kapacitete teknike dhe ekspertizë profesionale të përballoj këtë avari me forcat e veta.

“KEKu nuk ka kapacitete teknike dhe ekspertizë profesionale të përballoj këtë avari me forcat e veta, prandaj është e domosdoshme angazhimi i ekspertëve nga Gjermania të GE, që janë prodhuesit origjinal të turbinës. Njësia B2 nuk mund të startohet me këto defekte pa u bërë ky inspektim për të ditur hapat e mëtejmë dhe përcaktuar nivelin e sigurisë se operimit me këtë gjendje. Sa do të jetë nevoja për pjesët e reja, për cilat prej tyre, dhe se cili do të jetë vëllimi i punëve të riparimit duhet ta përcaktohet me këtë inspektim”, thuhet në njoftim.

Kohëzgjatja e kësaj kontrate kishte qenë për 21 ditë, derisa vlera totale e saj ishte 248 mijë e 650 euro, që i bie se ata paguheshin rreth 12 mijë euro për një ditë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë