Loading…

Ekspertët optimistë për liberalizim të vizave në fundvit, migrimi i pashmangshëm

  • 22/05/2022 | 11:45

Ekspertët optimistë për liberalizim të vizave në fundvit, migrimi i pashmangshëm

Qytetarët dhe institucionet ende vazhdojnë të presin ndryshime pozitive për çështjen e liberalizimit të vizave.


Edhe pse s’është dhënë ndonjë datë nga Qeveria e as Bashkimi Evropian (BE), njohësit e çështjeve politike si mundësi reale për liberalizim të vizave e shohin fundin e vitit 2022.

Teksa kanë folur për mundësinë e liberalizimit të vizave dhe frikës për migrim, ekspertët konsiderojnë se me të njëjtën janë përballur edhe shtetet më të forta ekonomikisht.

Profesori universitar, Afrim Hoti ka vlerësuar se çështja e liberalizimit të vizave tashmë është vjetërsuar edhe pse Kosova e ka konfirmuar se ka plotësuar kushtet për qysh moti.

“Mendoj se çfarëdo që themi tash e tutje për liberalizimin e vizave do të jetë spekulative sepse ky proces tashmë ka tejkaluar secilin limit madje edhe logjikën e një arsyeje të plotë të veprimit sepse çështja e liberalizimit tashmë është vjetërsuar nisur nga fakti se plotësimin e kushteve jo vetëm që e konfirmojmë ne që e kemi përfunduar por plotësimin e kushteve tashmë e ka konfirmuar tash e sa kohë edhe komisioni evropian dhe mbi këtë bazë mendoj se kemi mbetur thellësisht peng i zhvillimeve politike në BE”.

“Unë dua ta shoh procesin pak me optimizëm pas zgjedhjeve në Francë mbase do të mund të kemi lëvizje pozitive që në faktin më optimal fundin e 2022 ta gëzojnë një të drejtë elementare që vërtetë ata e meritojnë. Çështja e fqinjësisë në lidhje me dialogun nuk kanë qenë parakusht për liberalizimin e vizave madje as në momentin kur neve na është dhënë detyra që duhet të plotësojmë për të fituar këtë të drejtë. Nisur nga fati që integrimi në BE është çështje e praktikës atëherë edhe lidhja e tij me përfundimin e procesit të dialogut nuk do të më befasonte”, tha Hoti.

Sa i përket migrimit, Hoti thotë se nuk mund të përjashtohet Kosova, pasi sipas tij, të rinjtë po largohen me të madhe nga Kosova.
Mes tjerash, ai theksoi se të rinjtë po gjejnë alternativa të ndryshme edhe pa liberalizim të vizave.

“Unë nuk shoh përjashtim as në rastin e Kosovë sikundër nuk shoh pengesë çështjen e liberalizmit sepse të rinjtë edhe sot e kësaj ditë po largohen me të madhe nga Kosova dhe kjo është me të vërtetë për të ardhur keq. Çështja e mbajtjes së izolimit nëse dikush ka menduar se do të mund të ndalonte të rinjtë ka gabuar thellësisht bile sipas mendimit sikur kosovarët të kishin liberalizmit e vizave dhe lëvizja e tyre do të ishte shumë e kontrolluar”.

“Ne nuk e kemi të fituar. Nëse vala e madhe e njerëzve do të merrte trend të tillë atëherë normalisht që BE-ja do të mund të merrte masa të tilla. Në rastin e Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë janë dhënë paralajmërime të tilla por që deri më tani nuk kemi parë rast tipik dhe nuk të besoj që të ndodhë në rastin e Kosovës sepse fundja pa liberalizmin të rinjtë tashmë po lëvizin me viza e mundësi të ndryshme. Numri i atyre që kanë rënë viktimë e liberalizimit të vizave është i vogël dhe ky numër nuk do të paraqiste problem për BE-në”, tha Hoti.

Ndërkohë njohësi tjetër i çështjeve politike, Gazmir Raci, thotë se liberalizimi i vizave është kryekëput politike dhe se Francën e konsideron si pengesë kryesore.
Ai thotë se pas rizgjedhjes së presidentit Macron në Francë, beson se do të ketë lëvizje pozitive në këtë aspekt.

“Dihet se çështja e liberalizimit të vizave është temë kryekëput politike dhe se Franca është pengesa kryesore. Pas rizgjedhjes se presidentit Macron shpresoj se Franca do të lëviz pozitivisht, por natyrisht se sipas asaj çka po vërehet është se vendimi për liberalizim ose jo është i lidhur kryekëput me dialogun e Brukselit dhe rezultate nga ai dialog që mund të dalin. Në qoftë se do të kemi progres në dialog unë pres lëvizje pozitive në këtë vit, por edhe nëse merret vendimi pozitiv për liberalizim duhen edhe gjashtë muaj të tjerë për çështje teknike për të filluar zbatimi i asaj dhe se tash qershori është si një opsion për shkak të Samitit që mbahet në qershor, e po ashtu pastaj është edhe shtatori ose tetori i vitit 2022”, thotë Raci.

E sa i përket migrimit, Raci thotë se e njëjta është çështje e tejkaluar. Ai thotë se me migrim janë përballur edhe shtetet më të forta se Kosova, raporton EO.
“Çështja e migrimit është çështje e tejkaluar, sepse migrimin legal s’mundet askush ta pengoj, por natyrisht edhe shtetet tjera që janë liberalizuar më herët kanë pas disa probleme në këtë drejtim, por janë menaxhuar dhe mësimet e dala nga ato shtete besoj se Kosova është e gatshme me i zbatu edhe natyrisht që njerëzit lëvizin dhe s’mundet askush t’i ndalë”.

“Ne kemi lëviz edh enë kohë lufte edh enë kohë gjenocidi edhe askush s’ka mund t’na ndalë, por kryesorja është që Kosovës duhet t’i hiqen vizat sepse është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që është i izoluar nga ana e Bashkimit Evropian dhe nuk ka arsye tjera që ne duhet të vazhdojmë të jemi të izoluar”, thotë Raci për EO.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë