Loading…

Ëmbëlsirë e shpejtë me limon me vetëm pesë përbërës

  • 04/01/2022 | 17:28

Ëmbëlsirë e shpejtë me limon me vetëm pesë përbërës

Ëmbëlsirat janë vakti i fundit në tavolinë, por mund të themi që për nga preferenca janë të parat.


Sekretet e përgatitjes së tyre janë me mijëra dhe amvisat me siguri shumë prej tyre i njohin e i praktikojnë në kuzhinë.

Megjithatë përtej të gjithë këtyre fakteve për ëmbëlsirat, e rëndësishme është edhe vështirësia e përgatitjes së tyre.

Duke qenë delikate, shpesh ato bëhen të lodhshme për tu gatuar siç duhet, prandaj ekzistojnë recetat e thjeshta e me shumë pak përbërës.

Për t’i bërë ballë të gjithë vështirësive që mund të hasni kur i përgatisni, AgroWeb.org ju jep disa këshilla në recetën e sotme.

Do t’ju duhen vetëm 5 përbërës dhe keku me limon do të kthehet në specialitetin e preferuar që do të mbyllë me ëmbëlsi vaktet tuaja.

Përbërësit
190 gr miell

170 gr gjalpë

150 gr sheqer pluhur

1 limon

4 vezë

Përgatitja
Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete, AgroWeb.org ju këshillon që të ndizni fillimisht furrën në temperaturën 180 gradë C.

Gjithashtu bëni gati një tavë pjekje rreth 20 cm dhe shtrojeni me letër kuzhine.

Ndërkohë në një enë të thellë hidhni 180 gr miell, duke lënë dy lugë gjelle mënjanë për mbushjen, gjalpin e prerë në copa të vogla, vetëm 30 gr sheqer pluhur dhe lëkurën e grirë të një limoni.

Përziejini të gjithë përbërësit me anë të një rrahësi elektrik, derisa të përfitoni një masë brumi të shkrifët.

Bëjeni këtë derisa i gjithë gjalpi të ketë shkrirë, por pa lejuar që brumi të formojë kokrriza të mëdha.

Nëse ju krijohen kokrra shtypini ato me një pirun dhe vazhdoni me përzierjen.

Më pas, këtë brum të shkrifët që ngjan pak a shumë me biskotat e thërrmuara, shtrojeni tek tava që përgatitët.

Hidheni të gjithë aty dhe filloni ta shtypni me duar, në mënyrë që të ngjishet mirë pas tavës dhe të marrë formën e saj.

Futeni brumin të piqet për 20 minuta derisa të marrë ngjyrë të artë.

Ndërkohë që brumi piqet, përzieni në një enë vezët, shtoni miellin që latë mënjanë, 120 gr sheqer pluhur dhe gjysmë gote lëng limoni, nga ai që qëruat më parë.

Përzieni me rrahës elektrik derisa e gjithë masa të jetë kremoze dhe e trashë për t’ia shtuar kekut tuaj.

Pasi të keni nxjerrë brumin nga furra, mbi të shtoni menjëherë kremin e përgatitur dhe përhapeni mirë me lugë.

Për pjekjen
Kthejeni sërish në furrë tavën tuaj dhe piqeni për 15-20 minuta në temperaturë 180 gradë.

Lëreni të piqet derisa të shikoni që mbushja e limonit është mpiksur dhe pjekur e gjitha.

Kur ta nxirrni nga aty lëreni të ftohet në temperaturë ambienti, priteni në katrorë të vegjël dhe futeni në frigorifer për 2 orë.

Më pas mund ta konsumoni sipas dëshirës me pak sheqer pluhur sipër.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë