Loading…

Ende asnjë reagim nga Kurti e Mustafa për Kadri Veselin

  • 08/11/2019 | 16:18

Ende asnjë reagim nga Kurti e Mustafa për Kadri Veselin

Kreu i Vetëvendosjes (VV), Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, nuk e kanë thënë asnjë fjalë për ftesën që dje e mori, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, i cili do të intervistohet nga Gjykata Speciale me 4 dhjetor, shkruan Gazeta Metro.


Mirëpo ka qenë reagimi i menjëhershëm i Presidentit, Hashim Thaçi, ku ka shkruar se nuk ka gjykatë, as tendencë dhe as fabrikim që mund ta njollosë zotin Veseli dhe luftën e tij për çlirim.

“Kam pasur nderin e madh që për lirinë e Kosovës që nga fillimi të rrugëtoj vazhdimisht me Kadriun dhe në çdo hap jam ndjerë krenar me punën dhe angazhimin e tij të pa shoq, tash e tri dekada. Nuk ka asnjë dyshim se zoti Veseli si edhe dhjetëra ish luftëtarë të UÇK-së, që tashmë janë ftuar nga Dhomat e Specializuara, ka pasur moralin më të lartë patriotik, politik dhe ushtarak”, ka thënë Thaçi.

Reagim për këtë çështje ka shkruar edhe Ramush Haradinaj, kryeministri në detyrë.

“Kadri Veseli, si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka luftuar kundër shtypjes dhe mizorive të Serbisë mbi popullin e Kosovës, si çdo luftëtar i lirisë, dhe do ta mbrojë pastërtinë e kësaj lufte me dinjitet. I bindur se edhe kësaj radhe do të ngadhënjejë e vërteta dhe e drejta jonë”, ka shkruar Haradinaj.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se lufta e popullit të Kosovës ka qenë e drejtë dhe me motive të larta humanitare.

“Lufta e popullit të Kosovës për liri ishte e pastër, e drejtë dhe me motive të larta humane. Kadri Veseli do të ngadhënjejë në këtë sfidë, bashkë me të gjithë ish-luftëtarët e UÇK-së, duke i dëshmuar botës civilizuese edhe një herë se viktimat e vetme në luftë ishim ne. Lufta e UÇK ishte heroike, përballë një aparati që kishte qëllim shfarosjen e popullit të Kosovës”, tha Pacolli.

Për Veselin ka reaguar edhe Daut Haradinaj i AAK-së.

“Si për çdo luftëtar, ashtu edhe për Kadri Veselin kam qenë dhe do jem në përkrahje. Të priftë e mbara i nderuar, dalsh faqebardhë”, ka thënë Haradinaj.

Në anën tjetër, kreu i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se ftesa e Gjykatës Speciale është e padrejtë.

“Ftesa për intervistë nga Gjykata Speciale për bashkëluftëtarin tonë, z. Kadri Veseli, është e padrejtë dhe nga një gjykatë e padrejtë, ashtu sikur që janë të padrejta ftesat për drejtues dhe luftëtarë tjerë të UÇK-së. Drejtuesit e UÇK-së, ashtu siç kanë ditur disa herë ta mbrojë pastërtinë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe këtë radhë z. Kadri Veseli do dijë ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së. Alternativa e vetme është përballja me fakte kundër shpifjeve të armiqve të Kosovës. Jam i bindur se Kosova do ta kalojë me sukses edhe këtë sfidë dhe se drejtësia do të ngadhënjejë përballë shpifjeve”, ka thënë Limaj./gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë