Loading…

Ende s’ka kushte për investitorët e huaj, për 4 muajt e parë të 2021’ës – 143 milionë euro investime

  • 01/08/2021 | 15:55

Ende s’ka kushte për investitorët e huaj, për 4 muajt e parë të 2021’ës – 143 milionë euro investime

Në Kosovë njohës të fushës së ekonomisë dhe drejtësisë, thonë se me gjithë përmirësimet, vendi po vazhdon të përballet me mungesë të zbatimit të ligjeve dhe reformave, të cilat do të çonin në rritjen e investimeve të huaja. Sipas të dhënave zyrtare që nga fillimi i këtij viti e deri në muajin prill janë regjistruar afër 143 milionë euro investime.


Një raport i Departamentit amerikan të Shtetit, për klimën e investimeve i publikuar para pak ditësh, tërheq vërejtjen për mundësitë e kufizuara të Kosovës për të tërhequr investime të huaja të drejtpërdrejta për shkak të integrimit të pamjaftueshëm ekonomik rajonal dhe global, paqëndrueshmërisë politike, ndikimeve politike në ekonomi, korrupsionit dhe sundimit të dobët të ligjit.

Me gjithë vërejtjet Banka Qendore e Kosovës mirëpriti raportin i cili sipas saj, njeh zhvillimet në sektorin financiar në vend.

“Raporti në fjalë thekson përmirësimet e vazhdueshme të qasjes në kredi të sektorit privat, ndërsa investitorët e huaj mund të marrin kredi dhe mund të hapin llogari bankare”, thuhet mes tjerash në një komunikatë të Bankës Qendrore.

Por njohës të fushës së ekonomisë dhe drejtësisë, thonë se me gjithë përmirësimet, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të zbatimit të ligjeve dhe reformave.

Besa Zogaj, drejtoreshë ekzekutive në Institutin për Ekonomi të Tregut te Lirë, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se që nga paslufta Kosova ka bërë disa hapa në përmirësim të mjedisit për investime por sipas saj në terren gjendja nuk ka ndryshuar shumë.

“Si rekomandim i joni është që në kuadër të zyrës së kryeministrit të jetë një mekanizëm me resurse njerëzore, me buxhet të caktuar dhe aftësi negociatore për ta bërë Kosovën vend më atraktiv për investime në raport me vendet tjera”, thotë ajo.

Zonja Zogaj thotë se Kosova ka nevojë për një strategji afatgjate të investimeve të huaja, e cila do të zbatohej me përparësi pavarësisht ndërrimit të qeverive, duke nënvizuar se investimet rajonale në këtë strategji duhet të kenë rëndësi thelbësore.

“Sepse ne e dimë që nuk jemi shumë atraktiv për shkak të numrit të vogël të popullsisë kështu që gjithmonë duhet të mendojmë në aspektin rajonal dhe Kosova duhet të shfrytëzojë pozitën qendrore që e ka në rajon. Pra kjo jep mundësi të shumta, duke u ndërlidhur me infrastrukturën rrugore e hekurudhore”, thotë ajo.

Në raportin e Departamentit të Shtetit theksohet po ashtu se gjykatat në Kosovë shihen si “të ndikuara nga ekzekutivi, me trajtim të posaçëm apo drejtësi selektive ndaj individëve të profilit të lartë që kanë lidhje të forta”. Kosova thuhet në raport, “ka miratuar legjislacion të fortë për ta luftuar korrupsionin, por qeveria deri tash ka qenë e pasuksesshme në përpjekjet për të hetuar, ndjekur penalisht, burgosur dhe konfiskuar pasuritë e individëve të korruptuar”.

Florent Spahija, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se qeveria duhet të punojë më shumë në luftimin e korrupsionit, fushë në të cilën Kosova sipas tij ende mbetet shumë larg.

“Kemi vazhdimisht degradim sidomos në këto dy tri vitet e fundit sepse vazhdimisht Kosova ka humbur pikë në rangun global, kemi qenë në vendin 86 e sot jemi në vendin 104 pra ka dallim shumë të madh, jemi shumë larg mesatares globale por jemi shumë larg edhe mesatares evropiane”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Zoti Spahija thotë se miratimi i projektligjit për themelimin e Gjykatës Komerciale në qershor të këtij viti, është hap i mirë në drejtim të tërheqjes së investitorëve të huaj.

“Do të ishte shumë mirë që të ulej pritja para gjykatës për bizneset. Mendoj që hapat janë bërë, është gjykata komerciale si një hap i parë që mund të bëhet për lehtësim dhe thithje të investimeve të huaja në Kosovë për shkak se do të trajtohen me përparësi vetëm çështjet e bizneseve dhe kjo do të ndikonte ndoshta edhe në rritjen e besimit te investitorët e huaj”, thotë zoti Spahija.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, që nga fillimi i këtij viti e deri në muajin prill janë regjistruar afër 143 milionë euro investime.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
ma[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë