Një mjeke nga Richmond, Virxhinia, ka përjetuar një situatë të pazakontë gjatë gjumit, kur u zgjua dhe kuptoi se një lakuriq nate i ishte afruar fytyrës dhe po përpiqej t’i hynte në gojë.
Dr. Krista Edelman tregoi se fillimisht kishte parë në ëndërr një mi që po i afrohej gojës. Kur u zgjua, ndjeu diçka në gojë dhe e kapi me dorë, duke kuptuar menjëherë se bëhej fjalë për një lakuriq nate.
“Ulërita dhe vazhdimisht thosha: Ka një lakuriq nate në gojën time”, tregoi Edelman.
Bashkëshorti i saj ndërhyri dhe arriti ta largonte kafshën, ndërsa mjekja më pas shkoi në urgjencë.
Mjeku Adam Landsee tha se vendimi për të kërkuar menjëherë ndihmë ishte i duhuri, pasi kafshimi i lakuriqëve mund të mos vërehet lehtë për shkak të dhëmbëve të tyre të vegjël.
Ai paralajmëroi se, për shkak të rrezikut të tërbimit, çdo person që zgjohet në një dhomë me një lakuriq nate duhet ta marrë situatën seriozisht dhe të kërkojë vlerësim mjekësor.