Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani, i është kundërpërgjigjur akuzave të kryeakademikut të Kosovës, Hivzi Islamit, në fejtonin e botuar në për disa ditë në gazetën “Zëri”.
Islami ditë më parë e ka akuzuar rëndë Hasanin, duke thënë se ky i fundit është një “ekspert“ i të drejtës ndërkombëtare dhe i kufijve, i cili, sipas tij, është i njohur për falsifikime dhe mashtrime në Kosovë, që thoshte se në vitin 1959 u bë këmbimi i Leposaviqit me Preshevën, gjë që kurrë nuk ka ndodhur, duke theksuar se për këtë “ka vendim”!
Por, në një opinion të botuar në numrin e sotëm të gazetës “Zëri”, Hasani e akuzon kryeakademikun Islami për plagjiat. “Njeriu normal pret që akademikët dhe akademia të mbështesin një projekt të tillë, pra luftën kundër kësaj dukurie të shëmtuar në mesin tonë.
Hulumtimi im për një kohë shumë të shkurtër tregoi se, krahas dy akademikëve të tjerë për të cilët kisha marrë të dhënat e sakta për plagjiaturë, edhe ai tjetri që ishte atë ditë me Hivziun, ishte i përfshirë në të njëjtin skandal, me burim plagjiatin nga bota gjermane e një doktorate të një prifti protestant.
Qëllimisht po e përmend botën gjermane sepse, siç dihet, nga Akademia kanë qenë të përfshirë në plagjiat edhe burimet nga bota frankofone dhe ish-jugosllave”, thuhet mes tjerash në kundërpërgjigjen e Hasanit të botuar në numrin e së hënës të gazetës “Zëri”.