Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe partia e tij Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kritikuese e madhe administratës Trump, ndërsa vetë Kurti kishte bërë thirrje që të votohen demokratët me në krye Joe Biden, dhe jo republikani Donald Trump, administratës së cilës i takonte edhe ish-sekretarin amerikan Mike Pompeo, shkruan Gazeta Metro.
Për këtë takim të Kurtit dhe Pompeot, ka njoftuar qeveria e Kosovës, ku ndër të tjera thuhet se kryeministri Kurti ka njoftuar Pompeon me të arriturat e Kosovës sa i përket rritjes ekonomike, cilësisë së demokracisë dhe imazhit të Kosovës në botë.
Sipas një komunikate të Qeverisë, në këtë takim u diskutua edhe për situatën në Evropë e posaçërisht në Ballkan pas agresionit ushtarak të paprovokuar, ilegal e të pajustifikueshëm të Rusisë mbi Ukrainën.
“Të dy u pajtuan që Rusia nuk bën kurrsesi ta fitojë këtë luftë, që kontinenti evropian mbrohet më së miri me unitet të brendshëm dhe me urën transatlantike me ShBA-të dhe se Kosova është shembull suksesi i qëndrueshmërisë së popullit të saj dhe i ndërhyrjes së NATO-s”, thuhet në komunikatë
Ndryshe, ky takim ka ndodhur në tryezën ndërkombëtare vjetore të revistës ‘The Economist’, e cila po mbahet në Athinë e ku Kurti, zhvilloi takim me ish-sekretarin Amerikan të Shtetit dhe ish-drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo në administratën Trump./gazetametro.net