Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka deklaruar sot në Prishtinë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe e heq kontrollin e Serbisë në pjesën veriut dhe e fut nën kontroll të Kosovës, transmeton Gazeta Metro.
“Kjo është arsyeja pse na duhet Asociacioni. Nga perspektiva ime Asociacioni është për ta hequr kontrollin e Serbisë nga Veriu dhe për ta futur nën kontrollin e Kosovës, të Kushtetutës suaj dhe të strukturës tuaj legale, nuk shoh arsye pse dikush duhet ta shohë ndryshe këtë” ka thënë Escobar.
Emisari amerikan ka theksuar se serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhje pa kushte dhe se janë duke punuar për ta arritur këtë.
Ai gjithashtu sot ka thënë se se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të bëhet, duke mos e përjashtuar mundësinë që kjo të ndodhë me një kryeministër tjetër dhe jo Albin Kurtin.
Escobar ka folur për të njëjten temë edhe në një prononcim për Die Presse, ku ka thënë se, Asocicacioni s’varet nga Kurti, dhe se i njëjti do të formohet pa marrë parasysh do apo s’do kryeministri.
“Nuk varet nga ai. Kjo nuk është çështje mes Kurtit dhe Serbisë. Kjo është një çështje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Edhe nëse nuk do Kurti, ky Asociacion do të bëhet. Pyetja është: a dëshiron Kosova të presë integrimin euroatlantik derisa kryeministri i saj të përmbushë detyrimet e tij ligjore?”, tha Escobar. /gazetametro.net