Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi mbështesin ato qeveri që janë të përqendruara tek agjenda evropiane dhe anëtarësia në NATO ka thënë Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Gabriel Escobar, transmeton Gazeta Metro.
Diplomati amerikan para gazetarëve sot tha se Ballkani Perëndimor mbetet për SHBA’në rajon i shanseve të mëdha, dinamik dhe një pjesë e rëndësishme e botës në të cilin mund të llogaritësh në zhvillimin e miqësive.
“Gëzohem që ato tre shtete nga Ballkani Perëndimor, që njëkohësisht janë anëtarë të NATO’s kanë dëshmuar përparim të madh” tha Escobar. Ai theksoi faktin se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor votuan në koordinim me BE’në dhe kontribuuan në situatën humanitare në Ukrainë.
“Në Mal të Zi vazhdojmë të mbështesim secilën qeveri që është e përqendruar drejt BE’së dhe e përkushtuar ndaj NATO’s e që vazhdon të luftojë kundër korrupsionit” tha ai.
I pyetur nëse Rusia ka dorë në ngjarjet në Ballkanin Perëndimor, së pari me barrikadat në Veri të Kosovës, ai tha se, me pak përjashtime, ngjarjet në Ballkan janë rezultat i veprimit të faktorëve ballkanas./gazetametro.net