Loading…

Escobar: SHBA’ja e shqetësuar me regjistrimin e popullsisë në Mal të Zi

  • 11/11/2021 | 19:25

Escobar: SHBA’ja e shqetësuar me regjistrimin e popullsisë në Mal të Zi

Zv/sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, shprehu te enjten shqetësimin për procesin e regjistrimit te ardhshëm të popullsisë në Mal të Zi, sepse, siç tha, mund të nxisë tensione nacionaliste, në vendin e vogël me rreth 620 mijë banorë.


Escobar, që është njëherësh i dërguar i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, i bëri këto komente, gjatë takimeve me zyrtarë të lartë në Podgoricë.

Ambasada amerikane shkroi në rrjetin Twitter pas takimit të zotit Escobar me kryetarin e parlamentit të Malit të Zi, Aleksa Beçiç, se zyrtari i lartë amerikan inkurajoi reformat në sistemin prokuroria dhe të ligjeve zgjedhore.

“Deputetët e parlamentit të Malit të Zi duhet të punojnë së bashku kundër korrupsionit dhe të promovojnë interesin publik”, citon ambasada Escobar.

Më herët gjatë ditës ai u takua me kryeministrin malazez, Zdravko Krivokapiç, me ç’rast vuri në dukje se Mali i Zi duhet të jetë i përqendruar në reformat e nevojshme për të përshpejtuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa inkurajoi një integrim më të fortë ekonomik të rajonit.

“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë të gjithë atyre që mbështesin një Mal të Zi sovran, gjithëpërfshirës dhe qytetar”, tha Escobar, sipas llogarisë në Twitter të ambasadës amerikane në Podgoricë.

Kryeministri Krivokapiç, u tha më pas gazetarëve se janë pajtuar që lufta kundër korrupsionit, bashkëpunimi i ngjeshur rajonal dhe angazhimi i fuqishëm i vendit për integrimin në BE janë jashtëzakonisht të rëndësishme për Malin e Zi.

“Mali i Zi dhe Shtetet e Bashkuara mbeten aleatë të përhershëm të NATO-s, në luftën për vlerat dhe idealet më të mëdha demokratike”, theksoi kryeministri malazez.

Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe aspiron që të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Por, fitorja e forcave proserbe dhe proruse në zgjedhjet e vitit 2020, ka shtuar shqetësimet për orientimin e vendit të vogël buzë Adriatikut që është pavarësuar nga Serbia në vitin 2006.

Escobar, e ka shpallur përparësi të punës së tij çuarjen përpara të procesit të integrimit më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si rrugë për të penguar destabilizimin e rajonit nga ndërhyrjet e vendeve të treta si Kina dhe Rusia./voa

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë