Loading…

Eskobari i Ballkanit: Lidhjet me politikën dhe hetimet e DEA’s

  • 11/12/2016 | 08:42

Eskobari i Ballkanit: Lidhjet me politikën dhe hetimet e DEA’s

Grupi kriminal që merrej me trafikun e drogës që u identifikua në disa vende të Ballkanit, pjesë e të cilit dyshohet se është Klement Balili, u hetua me asistencën dhe mbikëqyrjen e DEA-s amerikane. Agjencia amerikane e luftës kundër drogës ka asistuar policitë ballkanike në identifikimin e këtij grupi që çonte drogë në Perëndim në një biznes që llogaritej shumë milionë euro në vit.

Ish-drejtori i Drejtorisë Rajonale të Transporteve, Klement Balili ishte vetëm një hallkë e këtij zinxhiri të madh, por ai përshkruhet nga mediat fqinje si njeri i besuar i qeverisë shqiptare dhe me lidhje të forta politike.

Në një shkrim me titull “Droga, gjuetia e madhe në Europë për ‘Eskobarin e Ballkanit’”, e përditshmja italiane “Corriere della Sera” e cilëson 44-vjeçarin shqiptar si një menaxher shteti. “Mbi 7 tonë marijuanë e sekuestruar në një gomone në brigjet e Greqisë ishin të destinuar të mbërrinin në Itali, fillimisht në Salento e më pas drejt Milanos, ku çmimi i drogës rritet 700-800 euro për kg.

Në krye të organizatës të kësaj ngarkese droge e të dhjetëra të tjerave ka një të dyshuar, i pagëzuar si ‘Eskobari i Ballkanit’ dhe i kërkuar në gjysmën e Europës. Kelmend Balili është një menaxher shteti, një njeri i besueshëm i qeverisë shqiptare”, shkruan gazeta. “Corriere della Sera”.

Nga ana tjetër, ‘CNN’ në gjuhën greke ka shkruar se Klement Balili ishte një person me lidhje të forta politike dhe prandaj policia druhej të vepronte kundër tij. ‘CNN’ grek shkruan se, “sipas burimeve të tyre, gjatë takimit tejet sekret në Shqipëri, mes policisë greke dhe asaj shqiptare, një pjesëtar i palës shqiptare ka thënë për kreun e kartelit të drogës (sipas autoriteteve greke është Klement Balili), se këtu në Shqipëri nuk mundim ta prekim këtë njeri, veçse po të ketë fakte të pakundërshtueshme, sepse ai ka lidhje politike dhe kontakte me parti e politikanë të nivelit të lartë”. ‘CNN’ shkruan se në sajë të dosjes hetimore, ky person është financuesi i kartelit dhe ai që organizonte në Shqipëri ngarkesat e drogës.

REAGIMI I BALILIT
I ashtuquajturi “Eskobari i Ballkanit” foli në muajin tetor për “Ethnos i së dielës” dhe refuzoi akuzën e rëndë në ngarkim të tij, të ngritur nga Drejtoria e Antidrogës Athinë.

“Është arbitrare akuza që më jep policia greke duke çorientuar qëllimisht edhe drejtësinë greke dhe përpiqet të çorientojë dhe drejtësinë shqiptare. Nuk ka asnjë provë nga ato që mund të pranojë një gjykatë për të dënuar një njeri. E gjithë çështja, siç e lexova, sepse më solli fotokopje avokati im, z. Aleksis Kujas, nuk ka asnjë provë në ngarkimin tim, përveç një skenari që e kanë ndërtuar në mënyrë arbitrare policët dhe që mbështetet në një komunikimin tim, tërësisht me një temë pa lidhje, me një person që realisht ka gisht në këtë çështje, por pa e ditur unë që pikërisht ky person kryente veprimtari të paligjshme. Jam i sigurt që disa drejtues të policisë greke ndërtuan këtë çështje bashkë me ish-kryeministrin e Shqipërisë, Berisha, sepse një i afërmi im, konkretisht nipi im, i cili është avokat, është anëtar i rëndësishëm i partisë në pushtet në Shqipëri dhe për këtë arsye krijuan këtë çështje, për ta shfrytëzuar politikisht dhe të dëmtojnë kryeministrin Edi Rama”, tha Balili për “Ethnos i së dielës” e sjellë nga “Gazeta Shqiptare” në fillim të tetorit. /GazetaShqiptare

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë